Zhvlerësimi i pashpjegueshëm i euros, Konfindustria kërkon nga Banka e Shqipërisë hetim dhe masa ndaj spekulimeve në treg

Ulja e vlerës së monedhës europianë euro, kundrejt monedhës vendase lek po vë në vështirësi industrinë përpunuese.
Konfederata e industrive në vend ngre shqetësimin se zhvlerësimi me 15 % i euros brenda vitit, po i çon ata drejt falimentit.
Grupimi i industrive vendase kërkojnë ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në këtë situatë.
“Konfindustria i kërkon Bankës së Shqipërisë, që në zbatim të përgjegjësive ligjore të hetojë për përgjegjësit e mundshëm dhe të marri masat e nevojshme përkatëse kundër spekullatorëve potencialë aktorë të sistemit financiar, bankar dhe/ose jashtë tij. Gjithashtu, i kërkohet agjensive ekzekutive për të ndjekur me përgjegjësi spekullimet e mundshme në tregun e valutave, duke kontrolluar origjinën e rrymave të parave informale të pranishme.” bën të ditur ajo në një deklaratë.
Konfindustria, ka shprehur shqetësimin e saj për ndikimin e fortë negativ të fuqizimit të lekut kundrejt euros në disa prej kategorive të rëndësishme të biznesit në vend.
“Janë prekur sektorë të rëndësishëm të ekonomisë vendore, kryesisht prodhues dhe eksportues, si industria e manifakturës, tekstile, këpucë, prodhime bujqësore, agrobujqësore, të shërbimeve më pakicë, etj.. Një pjesë e madhe e tyre rrezikohen deri me falimentim dhe/ose largim nga vendi. “ thekson deklarata.
Konfindustria vlerëson se fuqizimi jonormal i Lek-ut ka fuqizuar ndjeshëm importet.
Gazetare Teuta Shamku
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




