Dukuri që nuk ka ndodhur nga viti 2008, bilanci tregtar i ndikuar nga fasoneria, turizmi dhe emigrantët

Në tremujorin e parë të këtij viti, aq sa janë të dhënat zyrtare të publikuara, shënohet një bilanc tregtar i Shqipërisë, i pa ndodhur që nga viti 2008.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e deficitit zbriti në 135 milionë euro, 72% më pak krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar dhe 46% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, që është vlera më e ulët e shënuar ndonjëherë për tremujorin e parë të vitit, të paktën për periudhën prej vitit 2008 e në vazhdim.
Çfarë ka ndodhur me të dhënat e këtij bilanci?
Ekspertët ia detyrojnë këtë suficit apo rritje të të ardhurave të llogarisë korente rritjes së ndjeshme të shkëmbimeve tregtare, sidomos falë turizmit, por edhe rritjes së të ardhurave dytësore, të emigrantëve.
Shkëmbimet tregtare rezultuan pozitive me rreth 560 milionë eurove, në rritje me 38% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, ku ndikimin kryesor e dha sektori i fasonerisë.Të ardhurat neto të këtij sektori arritën në 196 milionë euro, ose me rritje, me ¼ krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.
Sektori i turizmit udhëheq me rreth 190 milionë eurove, ose 116% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nuk kanë mbetur në vendnumëro edhe dërgesat e emigrantëve, që kishin vlerën e 214 milionë eurove për një semestër.
Në bollëkun e monedhës europiane ka ndikuar edhe fluksi prej mbi 300 milionë eurosh i investimeve të huaja direkte, që shënohet të jetë gati 2.3 herë më i lartë se deficiti i llogarisë korente për tremujorin e parë.
Pikërisht këto të dhëna të Bilancit të Pagesave shpjegojnë plotësisht tendencat e kursit të këmbimit dhe bollëkun e eurove ne treg.
Vini re gafikët mujorë dhe vjetore të kursit të këmbimit të monedhës shqiptare me atë europiane. Tendenca e mbicmimit të lekut duket hapur, ndërsa kursi i këmbimit Euro-Lek ndodhet pranë niveleve më të ulëta historike.
Sipas ekspertëve, edhe ndonjë rritje sporadike e këtij kursi në javën e fundit lidhet me efekte psikologjike apo ndërhyrje të përkohshme në treg të bankave tregtare, që blejnë monedhë europiane. Nuk ka të dhëna që lidhen me deklaratën e kërcënimit financiar, apo blerje të monedhës për blerje të energjisë elektrike, e cila në kushtet aktuale po shitet apo po optimizohet në sasi të vogla. Kursi pretendohet të jetë i tillë edhe në një periudhë afatmesme.
Gazetar: Bardh Sejdarasi
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




