Anketa tremujore e forcës së punës, rritet numri i të punësuarve me 4.4%. Zvogëlohet hendeku gjinor

Tremujori i parë të këtij viti shënoi ritme pozitive sa i përket ecurisë së tregut të punës.
Sipas INSTAT, grupmosha 15-64 vjeç çka paraqet edhe forcën të punës në vend u rrit me 4.4% krahasuar me tremujorin e parë të 2022.
Ndërkohë papunësia për këtë grupmoshe prek nivelin e 10.9% duke zbritur me 0.5% krahasuar me të njejtën periudhë të 2022.
Sa i përket ndarjes gjinore, pjesëmarrja e grave në forcën e punës është 69.5% ndërkohë që burrat e angazhuar janë 82.2%
Ndonëse midis burrave dhe grave ekziston një diferencë e konsiderueshme prej 12.7% vlen të thuhet se shkalla e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës është rritur me 5 pikë përqindje ndërsa për burrat me 2.4 pikë përqindje.
Nga ana tjetër lajme të mira vijnë sa i përket angazhimit të të rinjve në tregun e punës, ku grupmosha 15 – 29 vjeç është në nivelin e 58.0%, e rritur me 2.8% krahasuar me tremujorin e parë të 2022.
Anketa e publikuar nga INSTAT flet edhe për Industritë të cilat angazhojnë më së shumti forcën e punës, ku në terma vjetorë vërehet se punësimi është ulur me 2,7 % në sektorin e industrisë, dhe është rritur me 11,0 % në sektorin e shërbimeve.
Rritje të lehtë ka pësuar sektori i bujqësisë me 0.4%.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




