BERZH gati të miratojë kredinë për projektin hekurudhor Vorë-Hani i Hotit

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pritet të miratojë në shtator një kredi prej 62.9 milionë euro të kërkuar nga Shqipëria për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.
Kjo bëhet e ditur në faqen e projekteve të BERZH.
Kostoja e linjës Vorë-Hani i Hotit është 267 milionë euro për një gjatësi 120 kilometra.
Projekti, sipas dokumenteve që shoqëronin kërkesën e Shqipërisë në BERZH , pritet të bashkëfinancohet nga Banka Europiane e Investimeve (EIB) dhe Bashkimi Europian (BE) nëpërmjet Platformës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Projekti Vorë-Hani i Hotit, është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor. Ai do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.
Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985.
Aktualisht një tjetër projekt që synon modernizimin e transportit hekurudhor në vend është ai i linjës Tiranë-Durrës me zgjatimin drejt aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas që është në proces ndërtimi dhe pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.
Kjo linjë është 39 kilometra dhe llogaritet me një kosto 70 milionë euro.
Shqipëria ka një plan për një lidhje hekurudhore me Kosovën për të cilin po kryen një studim fizibiliteti për alternativën më të përshtatshme.

/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




