Guvernatori i BSH: Inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2024!

Guvernatori i BSH-së Gent Sejko tha të martën se parashikimet e bankës sugjerojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2024.
Deklaratën e tij zoti Sejko e bëri gjatë prezantimit në Komisionin prlamentar të Ekonomisë dhe Financave të raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2022.
“Ekonomia shqiptare është ballafaquar me një valë goditjesh komplekse e të paprecedenta gjatë viteve të fundit. Këto goditje kanë testuar qëndrueshmërinë e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit, kanë ofruar sfida serioze për bizneset dhe familjet shqiptare, si dhe kanë kërkuar reagimin e shpejtë dhe të koordinuar të autoriteteve publike” tha zoti Sejko.
Guvernatori tha se inflacioni mesatar u rrit, nga niveli mesatar prej 2.0 % në vitin 2021, në nivelin 6.7 % në vitin 2022.
Kjo rritje, u nxit fillimisht nga çmimet në tregjet e huaja, por më pas gjetën një mbështetje gjithnjë e më të madhe nga rritja e kostove të prodhimit dhe e pritjeve për inflacionin në vend.
“Në këtë mjedis të ri ekonomik, në funksion të respektimit të mandatit të saj ligjor të stabilitetit të çmimeve, Banka e Shqipërisë nisi procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Ky normalizim u realizua nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit, nga niveli 0.5 % në fillim të vitit 2022 në nivelin 2.75 % në fund të tij”, deklaroi Sejko.
Guvernatori i BSH-së tha se, “parashikimet tona sugjerojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2024, i ndikuar nga stabilizimi i çmimeve në tregjet globale dhe efektet e kursit normalizues të politikës monetare”.
Guvernatori tha se paralelisht me normalizimin e inflacionit, rritja ekonomike pritet të ruajë norma të qëndrueshme rritjeje në afatin e mesëm, pavarësisht luhatjeve afatshkurtra të pritura gjatë vitit aktual dhe atij të ardhshëm. Banka e Shqipërisë do të vijojë të përshtatë në vazhdimësi qëndrimin e politikës të saj monetare me realitetin e ri ekonomik. Ne do të kujdesemi që ky qëndrim të jetë – nga njëra anë – konsistent me respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe – nga ana tjetër – i koordinuar me kahun e politikës fiskale dhe zhvillimet në tregjet financiare” tha Guvernatori i BSH-së.
Zoti Sejko nënvizoi nevojën e rëndësisë së vazhdimit të reformave strukturore. Ai i konsideroi si një instrument i pazëvendësueshëm për të rritur potencialin e ekonomisë, për të forcuar rezistencën e saj ndaj goditjeve, si dhe për të rritur mirëqenien e popullatës.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




