Pjesë e Paketës për Mbështetjen e Energjisë, BE alokon 72 milionë euro për Shqipërinë

Bashkimi Europian i ka transferuar 72 milionë euro Qeverisë së Shqipërisë si pjesë e mbështetjes së BE-së për të përballuar pasojat socio-ekonomike të krizës energjetike. Lajmi u bë publik nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, ndërsa fondet janë pjesë e Paketës së Mbështetjes së Energjisë e shpallur në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë në vitin 2022 dhe e nënshkruar me Qeverinë në Mars 2023 në kuadër të Planit Vjetor të Veprimit IPA 2023.
Paketa mbështet Qeverinë në zbatimin e masave për mbrojtjen e konsumatorëve në Shqipëri nga ndikimi i krizës energjetike.
Këto masa të qeverisë përfshijnë subvencionimin e çmimeve të energjisë për familjet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri për të ofruar norma të ngjashme si përpara krizës energjetike si dhe dhënien e ndihmës financiare për 11200 persona në nevojë.
Përveç kësaj, paketa mbështet përpjekjet e qeverisë për të diversifikuar burimet e energjisë përmes investimeve të reja të erës dhe diellit, legjislacionit të ri për energjinë e rinovueshme në përputhje me standardet e BE-së dhe skemave mbështetëse për konsumatorët për të instaluar ngrohës uji me energji diellore.
“Agresioni rus i vitit të kaluar kundër Ukrainës shkaktoi rritje të mëdha të çmimeve të energjisë në nivel global. Kjo paketë mbështetëse e BE-së do të përfitojë drejtpërdrejt të gjithë përdoruesit e energjisë elektrike familjare dhe SME-të në Shqipëri duke ndihmuar qeverinë shqiptare të mbajë çmimet e energjisë elektrike të qëndrueshme dhe të diversifikojë burimet e energjisë. Ky është një shembull konkret se si qëndron BE me Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann.
Këto fonde janë grante që nuk kanë nevojë të shlyhen nga Shqipëria. 8 milionë euro të tjera do të transferohen në vitin 2024 në pritje të progresit në zbatimin e masave përkatëse të qeverisë.
Një mbështetje tjetër e BE-së për sektorin e energjisë në Shqipëri përfshin rivitalizimin e hidrocentralit të Fierzës, instalimin e një rrjeti diellor lundrues në Vaun e Dejës, si dhe mbështetjen e masave për efiçencën e energjisë në biznes nëpërmjet IPARD.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




