Zhvlerësimi i euros, Ibrahimaj: Mbështesim eksportuesit! Rimbusojmë TVSH-në për vetëm 3 ditë

Ekonomi | 3 vite më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, pas një takimi me shoqatën e eksportuesve ka bërë me dije vendimet e marra për të minimizuar efektet negative që vijnë nga zhvlerësimi i euros.

Në një deklaratë për mediat, Ibrahimaj tha se dy masat afatshkurtra të marra, për t’i mundësuar eksportuesve më shumë likuiditet, janë mospagimi i kësteve të tatim-fitimit deri në fund të vitit 2023 dhe rimbursimi i TVSH-së për 3 ditë, nga 30 që ishte më parë. Do të përfitojnë  kompanitë që eksportojnë më shumë se 70% të qarkullimit dhe prodhimit të tyre

Po ashtu Ministrja shtoi se do të krijohet një grup pune i përbashkët mes Ministrisë, Bankës së Shqipërisë, shoqatës së bankave dhe shoqatave të eksportuesve, për kryerjen e parashikimeve të përbashkëta dhe më pas marrjen e masave.

“Shqetësime në lidhje me vlerësimin e monedhës vendase dhe zhvlerësimin e euros. Kemi diskutuar mbi problematikën dhe ne kemi analizuar shqetësimin e zhvlerësimit të monedhës euro. Ne kemi vendosur që Ministria, me qëllim dhënien e një zgjidhje afatshkurtër, për rritjen e likuiditeteve të kompanive eksportuese të ngurtësoje parapagimin e kësteve të tatim-fitimit për të gjitha kompanitë që eksportojnë më shumë se 70% të qarkullimit dhe prodhimit të tyre. Kemi përgatitur një akt normativ që do miratohet së shpejti në mënyrë që të ketë rritje të likuiditetit që kompanitë kanë në dispozicion.

Do marrim masa që rimbursimi i TVSH që merret nga eksportuesit, që jepet me një afat 30 ditor, do jepet me një afat shumë më të shkurtër brenda 3 ditëve nga paraqitja e kërkesës, për ata që eksportojnë më shumë se 70% të qarkullimit dhe prodhimit të tyre. Kemi vendosur krijimin e një grupi pune të përbashkët mes Ministrisë, BSH, shoqatës së bankave dhe shoqatave të eksportuesve, kryerjen e parashikimeve të përbashkëta për efektin që një zhvlerësim i euros më tej do të kishte dhe marrjen e masave”, tha Ibrahimaj.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme