Rënia e euros dhe humbjet në biznes, përfaqësuesit e eksporteve takojnë Ibrahimajn, paraqesin kërkesat

Ekonomi | 4 vite më parë

Ministria e Financave pret në takim përfaqësuesit e eksportuesve, përfshirë sektorin e turizmit. Shqyrtohet mundësia e marrjes së disa masave për të mbrojtur sektorët nga mbivlerësimi i lekut.

Do të mbrohen sektorët e ekonomisë të dëmtuar nga rënia e pazakontë e monedhës europiane. Masat që pritet të merren në vijim nga autoritetet do të mbështesin kërkesat e bëra publike nga një letër e 7 shoqatave të biznesit dërguar guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe kreut të Financave Shqiptare.

Burime nga Ministria e Financave, që nuk pranuan të konfirmohen, i thanë Radio Televizionit Publik se, është rënë dakord me përfaqësuesit e sektorit të eksportuesve, të prekur ndjeshëm nga kursi i pajustifikuar i rënies së euros, të mendohet për zgjidhje emergjente dhe afatgjatë.

Të njëjtat burime i thanë televizionit tonë se ministrja Ibrahimaj, pasi dëgjoi  me vëmendje shqetësimet e biznesit pranoi të shqyrtojë mundësinë e marrjes së disa masave në mbrojtje të biznesit të dëmtuar.

Ndër masat që janë propozuar dhe pritet te merren në konsideratë nga ekspertët e ministrisë së linjës janë masa të tilla si ngurtësimi i tatim fitimit për vitin 2023 me argumentimin se humbjet do jenë të mëdha këtë vit dhe nuk ka pse të paguhet më shumë në arkat e shtetit.

Biznesi ka kërkuar që të realizohet një ulje e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, normë e cila ndikon direkt në kreditë që secili nga bizneset eksportuese dhe të turizmit ka marrë në bankat tregtare të nivelit të dytë.

Ministrja Delina Ibrahimaj është përballur edhe me kërkesën e njëzëshme për të rishikuar tatim fitimin për eksportuesit. Kërkesa e njohur e rimbursimit të Tatimit mbi vlerën e shtuar është ripërsëritur duke kërkuar rimbursim automatik të TVSH-s brenda 3 ditëve nga data e dorëzimin të kërkesës për rimbursim.

Një kërkesë tjetër për të cilën është kërkuar ndërhyrja e dikasterit të Financave është  ajo që dividenti në masën 8 për qind të mund të rishikohet në ulje,  gjithmonë vetëm për eksportuesit. Burimet e Ministrisë së Financave nuk u shprehen se sa prej këtyre kërkesave do të merren në konsideratë nga kreu i Financave Shqiptare, por vetëm se është rënë dakord të bëhet një analizë urgjente me ekspertët e qeverisë dhe të biznesit për të gjetur dhe ofruar zgjidhje që marrin në konsideratë kërkesat dhe qëndrimet e të dy palëve.

Kjo do të bëhet menjëherë pas një takimit ë ditës së premte me Gent Sejkon, Guvernator i Bankës së Shqipërisë që ka rënë dakord të presë përfaqësuesit e biznesit edhe pse menjëherë pas mbledhjes së të mërkurës së Këshillit Mbikëqyrës deklaroi se banka qendrore vetëm është  “e gatshme të ofrojë trajnime mbi menaxhimin e rrezikut të kursit të këmbimit”.

Sipas kreut të bankës qëndrore, si institucion financiar kryesor, “kemi dhe eksperiencën dhe ekspertizën e nevojshme, jemi të gatshëm për t’i informuar dhe për t’i trajnuar të gjitha ato industri dhe ato biznese, të cilat pësojnë një goditje nga efekti i kursit të këmbimit”.

Qëndrimi i Guvernatorit u kundërshtua menjëherë në mbrëmjen e së mërkurës nga një numër i lartë përfaqësuesish të biznesit, që u shprehën për mediat televizive, po në ditën e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë.

Mbetet të pritet takimi i së premtes i Guverantorit dhe dalja publike e masave që do të marrë Ministria e Financave, për të kuptuar nëse kërkesat e përsëritura të biznesit dhe alarmi i tij për mbivlerësimin e lekut do të merren në konsideratë për të mbrojtur bizneset e dëmtuara nga fenomeni i mbivlerësimit, pa arsye ekonomike të lekut shqiptar.

Përgatiti: Gazetar Bardh Sejdarasi

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme