Ankesat në Komisionin e Prokurimit Publik, tarifa të reja për operatorët ekonomikë

Çdo ankesë ndaj një procedure prokurimi apo tenderi pranë Komisionit të Prokurimit Publik, nga çdo operator ekonomik, do t’i nënshtrohet rregullave dhe tarifave të reja të pagesës.
Ankesa e paraqitur pranë autoritetit ose entit kontraktor, si dhe Komisionit të Prokurimit Publik, nga çdo operator ekonomik, i cili ka ose ka pasur interes në një procedurë prokurimi dhe kur është dëmtuar ose rrezikohet të dëmtohet nga veprimet ose mosveprimet e autoritetit ose entit kontraktor, do të duhet të përmbajë bashkëlidhur edhe dokumentin bankar, që vërteton pagesën e tarifës përkatëse për ankesën.
Për shqyrtimin e ankesës, operatori ekonomik ankimues detyrohet të paguajë pranë Komisionit të Prokurimit Publik tarifën, sipas përcaktimeve të mëposhtme:
- Kur ankesa paraqitet për dokumentet e tenderit, 0.4 % të vlerës së procedurës së prokurimit që ankimohet;
- Kur ankesa paraqitet për vendimin e vlerësimit, klasifikimit përfundimtar ose vendimin e përzgjedhjes së kandidatëve pas fazës së parakualifikimit, 0.5 % të vlerës së procedurës së prokurimit që ankimohet;
- Kur ankesa paraqitet për pavlefshmërinë e kontratës, 0.5 % të vlerës së kontratës së nënshkruar.
“Parapagimi i tarifës nga operatori ekonomik ankimues ose operatori ekonomik i interesuar është kusht i domosdoshëm për pranimin dhe shqyrtimin e ankesës. Në rastet e moskryerjes së pagesës, autoritetit ose entit kontraktor dhe Komisionit të Prokurimit Publik i lind e drejta e mospranimit të ankesës së paraqitur nga operatori ekonomik ankimues ose operatori ekonomik i interesuar.”- thuhet në vendimin për ankimimet ndaj një procedure prokurimi pranë Komisionit të Prokurimit Publik.
Në çdo rast, pagesa e tarifës i kthehet operatorit ekonomik ankimues ose operatorit ekonomik të interesuar, i cili ka kundërshtuar vendimin e autoritetit ose entit kontraktor, nëse ankesa e tyre është pranuar plotësisht ose pjesërisht nga Komisioni i Prokurimit Publik, brenda 5 ditëve nga marrja e vendimit nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik.
Në rastin kur ankesa nuk pranohet, të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e ankimimit derdhen 100% në buxhetin e shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




