Rritja e pagës minimale, skema e rimbursimit për subjektet private, shuma që përfitojnë

Rritja e pagës minimale do të shoqërohet edhe me një kompensim financiar për të gjitha subjektet private që kanë të punësuar punëmarrës. Një vendim, i cili publikohet nga rtsh.al, sqaron përdorimin e fondit të kontingjencës për kompensimin financiar të rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për çdo të punësuar më pagë minimale, për shkak të rritjes së kësaj page në shkallë vendi. Vendimi përcakton në mënyrë të detajuar skemën e përfitimit.
Sipas udhëzimit, subjektet private që përfitojnë kanë të drejtë të aplikojnë për të përfituar nga fondi i kontigjencës për kompensimin financiar janë subjekte juridike apo fizike që kanë të punësuar punëmarrës që paguhen me pagë minimale dhe ushtrojnë aktivitet në fushat e veprimtarisë ekonomike të industrisë përpunuese, peshkimit, bujqësisë dhe pyjeve, të cilat rezultojnë në regjistrin e tatimpaguesve të administratës tatimore, që u fillon kodi NACE2 me A dhe C.
Subjektet private, të cilat plotësojnë kriteret, duhet të plotësojnë formularin e kërkesës elektronikisht nëpërmjet portalit e-Albania, në shërbimin “Kërkesë për kompensim financiar të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.
Afati i kërkesës është jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës, nga muaji i pritshëm i deklarimit, për periudhën që kërkohet kompensim, në të kundërt e drejta e kompensimit për atë periudhë humbet.
Formulari i kërkesës, përmban të dhëna identifikuese për subjektin dhe të dhëna që vërtetojnë se subjekti:
b) nuk është në pronësi shtetërore;
c) nuk është i vetëpunësuar;
d) nuk është në proces falimentimi;
ç) si dhe nuk ka detyrime ndaj organeve tatimore për sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore, deri në momentin e kërkesës ose në momentin e kërkesës të vërtetojnë, se:
1. kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullt në shlyerjen e tyre;
2. kanë shlyer detyrimet, por kanë ende pa paguar gjobat.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjeneron nga sistemi i tatimeve listën e subjekteve private, të ndarë sipas çdo drejtorie rajonale tatimore, që plotësojnë kriteret.
Drejtoria e Përgjithshme e AKPA-s shpërndan listën si më sipër në drejtoritë rajonale të AKPA-s, së bashku me informacionin, si më poshtë:
a) NIPT;
b) emër subjekti;
c) statusi juridik (duke përjashtuar subjekte në pronësi shtetërore dhe të vetëpunësuarit);
ç) me statusin proces falimentimi;
d) fusha e veprimtarisë ekonomike (industri përpunuese, peshkim, bujqësi, pyje);
dh) numri i të punësuarve me pagë minimale;
e) të mos ketë detyrime tatimore për sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore, deri në momentin e kërkesës ose në momentin e kërkesës të vërtetojnë, se:
1. kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullt në shlyerjen e tyre;
2. kanë shlyer detyrimet, por kanë ende pa paguar gjobat;
ë) qarku dhe bashkia ku ka adresën primare subjekti.
Lista e subjekteve si më sipër gjenerohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe dërgohen pas datës 20 të çdo muaji, në Drejtorinë e Përgjithshme të Punësimit të AKPA-s.
Verifikimi i kërkesës
Drejtoritë Rajonale të Punësimit, brenda 5 ditëve pune verifikojnë listën e subjekteve aplikuese me listën e gjeneruar nga sistemi tatimor.
Drejtoritë Rajonale të Punësimit informojnë nëpërmjet llogarisë në e-Albania dhe email, çdo subjekt kërkues mbi statusin e kërkesës, refuzuar ose pranuar.
Për të gjitha kërkesat që plotësojnë kriteret, drejtoritë rajonale të punësimit, brenda 10 ditë pune, finalizojnë listën përfundimtare të subjekteve përfituese.
Lista e verifikuar e subjekteve përfituese përmban:
a) NIPT;
b) emrin e subjektit,
c) numrin e punonjësve me pagë minimale;
d) emrin e bankës së nivelit të dytë të subjektit; e) IBAN të subjektit.
Procedura e ankimimit
Aplikantët, kërkesa e të cilëve nuk është aprovuar ose pranuar pjesërisht, kanë të drejtën e ankimimit pranë drejtorit të drejtorisë rajonale të AKPA-s, brenda 3 ditëve pune, nga momenti i publikimit të listës përfundimtare të subjekteve përfituese.
Drejtori i drejtorisë rajonale të AKPA-s shqyrton dhe merr vendim mbi ankimimin e subjektit/subjekteve brenda 5 ditëve pune.
Vendimi i drejtorit të drejtorisë rajonale i njoftohet menjëherë subjektit ankimues, i cili ka të drejtë të kundërshtojë këtë vendimmarrje në Drejtorinë e Përgjithshme të AKPA-s. Në rast moszgjidhjeje të ankimimit në rrugë administrative, subjekti ankimues mund t’u drejtohet organeve të tjera kompetente.
Procedura dhe mënyra e llogaritjes së kompensimit e financimit
Çdo drejtori rajonale e punësimit pas konfirmimit të listës përfundimtare të përfituesve, llogarit kompensimin në bazë të numrit të punonjësve me pagë minimale të subjektit aplikues, referuar edhe periudhës kontributive të muajit dhjetor 2022.
Shuma totale për çdo kompensim për çdo muaj do të bazohet në numrin e punonjësve, në masën 1,674 lekë për çdo punonjës e llogaritur në referencë edhe të periudhës kontributive të muajit dhjetor 2022.
Drejtoritë rajonale të punësimit hartojnë dokumentacionin e nevojshëm për likuidim, në zbatim të legjislacionit financiar, dhe procedojnë në kalimin e fondeve në favor të subjekteve përfituese.
/rtsh.al/ a.meta/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




