Balluku: Rishikimet e buxhetit janë domosdoshmëri!

Ekonomi | 4 vite më parë

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka mbrojtur në parlament rishikimet e buxhetit të shtetit duke theksuar se ato janë domosdoshmëri.

Veçmas zonja Balluku kujtoi se qeveria ka mbështetur qytetarët dhe biznesin e vogël përmes mbajtjes së pandryshuar të çmimit të energjisë, në kushtet e një krize globale me çmime të larta të energjisë elektrike.

“Keni dy ditë që e keni bërë këtu sikur po flasim për luftën civile të Amerikës. Na keni ndarë veriun dhe jugun. Veriu prodhon energjinë dhe për këtë arsye Veriu duhet të marrë përfitime dhe të ardhura nga energjia. Nuk ka të ardhura nga energjia, sepse buxheti i shtetit ka subvencionuar të gjithë familjarët sikur e dini!” tha ministrja Balluku.

“Republika e Shqipërisë është një, veriu,jugu, të gjitha janë një. Çmimi i vërtetë i energjisë elektrike është 35 lekë për kilovat/orë, ndërsa qytetarët e paguajnë 9.5 lekë një kilovat/orë. Diferencën e paguan qeveria dhe këtë ata e kanë të qartë“, u shpreh ministrja Balluku.

Zv/kryeministrja njëkohësisht vuri në dukje se bazuar edhe në kërkesën e FMN-së nuk është krijuar asnjë borxh i ri.

“Ne kemi pasur një kërkesë nga FMN që në 2019-ën, që të mos krijohen borxhe gjatë vitit. Autoriteti Rrugor dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk kanë krijuar asnjë debit nga situatat e prodhuara vit pas viti. Kemi larë të gjitha borxhet që ishin mbartur me vite. S’ka asnjë hap më normal se rishikimi i një buxheti të një viti sidomos me një krizë ekonomike në shkallë botërore”, tha Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ajo u ndal edhe te fondet shtesë nga buxheti që mbështesin aviacionin civil, duke kujtuar se po zhvillohet çdo ditë e më shumë. 

“Askush sot nuk mund të mohojë faktin se aviacioni ka pasur një arritje të rëndësishme, duke nisur me ndërtimin e Aeroportit të Kukësit, nisjen e punimeve për ndërtimin e atij të Vlorës, krijimit të kompanisë shqiptare të flamurit dhe pas pak kohësh edhe hapjen e garës për ndërtimin e aeroportit të Sarandës. Sot kemi një aviacion që po zhvillohet çdo ditë e më shumë”, tha Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. 

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme