47.000 fermerë përfitojnë nga Skema Kombëtare në Bujqësi

Ekonomi | 4 vite më parë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bashkë me AZHBR, kanë publikuar sot  rezultatet dhe risitë e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi, për vitin 2022.

Gjatë një konference për shtyp, zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Dhimitër Kote, tha se gjatë vitin 2022 janë mbështetur sektorët bazë që prodhojnë si blegtoria, serrat dhe perimet, bimët medicinale, bletaria, certifikimi, mbjellja e grurit dhe skema e naftës që konsiderohet ndër më të rëndësishmet” tha ai.

Kote theksoi se, buxheti i këtij viti ka qenë buxheti më i lartë krahasimisht me vitet e tjera. Sipas tij, mbështetja ka qenë 3.2 miliardë në fillim të vitit dhe gjatë 2022 është dyfishuar mbështetja buxhetore në 5.1 miliardë lekë, për të zbutur efektet e pandemisë dhe krizën nga lufta në Ukrainë.

Drejtoresha e AZHBR-së Eranda Sinanaj, tha se fokus i Skemës së Mbështetjes ka qenë Skema e naftës që lidhet me punimet e mekanizuara për fermerët, duke ndikuar në uljen e kostove të prodhimit, që ka zënë 43% të buxhetit të alokuar për vitin 2022 dhe 33% të buxhetit e zë mbështetja për blegtorinë. Gjithashtu skema e mbështetjes për mbjelljen e grurit ka zënë pjesë të rëndësishme.

“Fakt i rëndësishëm është që buxheti 2022 për mbështetjen e bujqësisë është sa buxheti i 5 viteve të kaluara dhe ky është buxhet i alokuar nga buxheti shtetit për Skemën e Mbështetjes, por kemi edhe buxhetin nga IPARD që është vlerë e shtuar në financimin e fermerëve”,- theksoi Sinanaj, e cila për herë të parë është disbursuar i gjithë buxheti i alokuar, ku kemi 47.000 fermerë përfitues.

Gjatë konferencës u prezantuan rezultatet konkrete dhe mbështetja që i është dhënë çdo sektori, ku një fokus i veçantë i është kushtuar blegtorisë, bletarisë, të cilave u janë alokuar fonde shtesë, si edhe një vëmendje të shtuar ka patur skema e naftës.

Në përgjigje ndaj kërkesave të fermerëve dhe rritjes së kostove të inputeve dhe naftës, këtë vit janë hapur tre thirrje për aplikime, ku risi janë skemat e reja të mbështetura për herë të parë siç është skema e grurit, rinovimi i flotës së peshkimit, ngritja e tregjeve bujqësore-blegtorale, si edhe pagesa e kostove të inputeve bujqësore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme