Kim: Reformat në Shqipëri po funksionojnë, thelbësore heqja e ndikimit kriminal apo politik në ekonomi

Ekonomi | 4 vite më parë

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, nënvizoi sot dy fushat kryesore mbi të cilat SHBA synon të forcojë bashkëpunimin me vendin tonë që janë: demokracia dhe biznesi.  

Gjatë fjalës së saj në takimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, ambasadorja theksoi se “bizneset amerikane po investojnë në Shqipëri më shumë se kurrë më parë”, por, sipas saj, është thelbësore heqja e ndikimit kriminal dhe politik në ekonomi, gjë  që do të shërbente për krijimin e lidhjeve më të shumta të ekonomisë amerikane me atë shqiptare.

“Eksportet drejt Shteteve të Bashkuara u rritën me 36%. Në partneritet me bizneset amerikane, Shqipëria po bëhet udhëheqëse për energjinë. Ju i dini projektet që janë duke u konsultuar, siç është Skavica dhe shpërndarja e gazit natyror të lëngshëm. Po vijmë në një kohë që është tejet e rëndësishme, ndërsa po përballemi me sfida të reja që janë edhe sfida të vjetra. Të gjithë i kemi parë lajmet që prej 24 shkurtit, kur Rusia pushtoi Ukrainën pa asnjë arsye. Ne kemi parë ndikimin që ka sjellë mbi ekonominë evropiane dhe sektorin e energjisë, që është shumë i varur nga gazi natyror. Projekti i gazit të lëngshëm natyror në Vlorë mund të sjellë rreth 5 miliardë metër kub gaz në vit. Reformat në Shqipëri po funksionojnë, por është thelbësore heqja e ndikimit kriminal apo politik në ekonomi”- deklaroi ambasadorja Kim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme