Buxheti 2023/ Ibrahimaj: Inflacioni pritet të ulet! Tabaku: Sillni paketën fiskale ose çojmë buxhetin në Kushtetuese

Ekonomi | 4 vite më parë

Projektbuxheti i vitit 2023 është prezantuar mes debateve në Komisionin e Ekonomisë. Gjatë paraqitjes së projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, ministria e Financave Delina Ibrahimaj deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se rritja ekonomike për vitin 2023 , parashikohet të jetë 2.6%. Për Ibrahimaj kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet. 

“Për rritjen ekonomike për vitin e  ardhshëm, rritja reale do të shënohet 2.6%. Kjo rritje do vijë nga kërkesa e brendshme. Pritet të ndikoj pozitivisht kërkesa e huaj neto. Parashikimi më i fundit i FMN, është 2.2% rritje.  Nga oferta agregate, rritje reale e konsumit real 1.3%, 4.5% rritje e investimeve, eksportet neto 3.6% rritje reale. PBB rritje reale në kahun pozitiv në të gjithë sektorët e ofertës, bujqësi, shërbimet dhe ndërtimi”, tha Ibrahimaj.

Ministrja bëri me dije se vitin e ardhshëm do të rritet kufiri i  patatueshëm i pagës nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë si dhe do të jenë pjesë e skemës e taksimit të ardhurave personale profesione të lira.

“Rritja e kufirit të pa tatueshëm nga 40 000 në 50 000. Do reduktoj të ardhurat në buxhet 1.2 mld lekë, por do rriten të ardhurat familjare me mbi 1 mld lekë për familjet shqiptare. 70 000 punëmarrës përfituese të këtij grupi pagash 40 000 – 50 000. Profesionet e lira do kontribuojnë në buxhetin me mbi 2 mld lekë në vit”, tha Ibrahimaj.

Deputetët demokratë kërkuan ndërprerjen e Komisionit pasi sipas tyre po shkelet ligji. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e konsideroi antikushtetuese mbledhjen pasi sipas saj nuk diskutohet projektbuxheti pa patus paketën fiskale shoqëruese me të. Tabaku ka kërkuar përsëritjen e mbledhjes në të kundërt ajo ka paralajmëruar se do të çojnë në Gjykatë Kushtetuese buxhetin e shtetit për vitin 2023. 

“Mbledhje antikushtetuese. Ministrja prezantoi projekt buxhetin pa prezantuar ligjet fiskale se sa dhe si do jenë taksat e shqiptarëve gjatë vitit të ardhshëm. Në një vit kur të gjithë duhet të diskutojmë se ca mund të bëjmë më mirë, qeveria ka një arrogancë, shkel ligjin dhe nuk sjell në parlament ligjet fiskale. Deputetë nuk mund të jenë noterë që dëgjojnë deklarata për shtyp të një ministreje, parlamenti nuk mund të trajtohet si noter dhe nuk mund të shpërfillet puna e deputetëve duke i rreshtuar dhe të dëgjojnë çfarë ka për të thënë ministrja. Ne emër të PD do e çojmë buxhetin në gjykatë kushtetuese nëse kjo mbledhje nuk përsëritet”, tha Jorida Tabaku.

Ndërkohë që në këtë projekt/buxhet është parashikuar edhe rritja e gjobave për disa kategori të caktuara tatim paguesish të mëdhenj apo përsëritësit e shkeljeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme