PD, Bushati: Qeveria po injoron investitorë privatë, që duan të investojnë miliona për fotovoltaikët

Energjia vijon të jetë në qendër të akuzave të opozitës ndaj qeverisë. Deputeti i PD-së, Helidon Bushati, deklaron se qeveria po injoron investitorë privatë që duan të investojnë miliona për fotovoltaikët, por qeveria nuk u jep asnjë leje. Sipas tij, janë 45 leje që presin aprovimin përfundimtar me mbi 300 megavat.
Sipas Bushatit, në tre vite nuk ka asnjë kapacitet të ri gjenerues të vënë në punë, megjithëse flitet për impiantet e Nartës, Karavastasë dhe të Spitallës.
Sipas tij, janë shpenzuar 300 milionë euro për blerje energjie, por nuk u hodhën disa miliona që të rregullohej TEC-i i Vlorës, ndërtimi i të cilit ka kushtuar vetëm 98 milion euro.
“Ti hedhim “hi syve” shqiptarëve, ndërkohë që mbushim xhepat tanë. Kjo është motoja e Ramës dhe ministres Balluku, të cilët vazhdojnë sagën e investimeve strategjike imagjinare. Qeveria Rama jo vetëm po përdor sistemin elektroenergjitik si bankomat të sajin për financime, por njëkohësisht po përdor lejet për burime të reja si çokollatë për klientët qeveritarë të radhës. Ky është karremi i këtij mandati. Më 18 shkurt u mbajt një seancë e posaçme e Parlamentit Europian pikërisht për energjitë e rinovueshme e sidomos me fokus fotovoltaikët. Ku u vendos liberalizimi i dhënies së liçensave të impianteve fotovoltaike si dhe lehtësimi nga ana e bankave europiane në dhënien e financimeve të duhura për këto impiante. Por e kundërta ndodh në Shqipërinë që duam. Në një kohë që ministrja më e sukseshme e kabinetit Rama dhe qeveria proklamon gjatë gjithë kohës arritjet e shumta dhe hapat e sukseshëm drejt BE, për çudi kjo vendimarrje e Parlamentit Evropian nuk konsiderohet fare. Vendi sot ka nevoje me tepër se kurrë për impiante të reja, e për fat të mirë ka investitorë privatë që duan të investojnë miliona por nuk ju jepet asnjë leje, ndërkohë janë rreth 45 leje që presin aprovimin përfundimtar me mbi 300 MW dhe që mund ti kishin dhënë një ndihmesë të madhe situatës së sotme. Në tre vite nuk ka asnjë kapacitet të ri gjenerues të vënë në punë, edhe pse vetëm flitet për impiantet e Nartës, Karavastasë dhe Spitallës që do vihen në punë, por që fatkeqësisht do të duhen edhe disa vite të tjera ti shohim operacional. Janë shpenzuar 300 milion euro për blerje energjie, por nuk u hodhën disa miliona që të rregullohej TEC-i i Vlorës, ndërtimi i të cilit ka kushtuar vetëm 98 milion euro. Rregullimi i ciklit i të cilit do sillte një sasi të konsiderueshme të prodhuar dhe injektuar në rrjet. Këto janë fakte të cilat padyshim as kanë mundur dhe as do mund të ndryshojnë përqasjen e kësaj qeverie ndaj sistemit elektroenergjitik. Bankomati i qeverisë duhet të vazhdojë të nxjerrë lek për blerjet e fushatës së radhës. Ndaj është e kotë të flasim për fakte kur nuk ka vullnet për përmirësim.”- shkruan Bushati.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




