Abazoviq: Më 31 mars BE-ja furnizon Malin e Zi me vaksina

Rajon | 6 vite më parë

Zëvëndëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka paralajmëruar se më 31 mars vendi do të furnizohet me vaksina kundër COVID-19 nga Bashkimi Evropian. Ai nuk ka dhënë detaje se për cilat vaksina bëhet fjalë, shkruan REL.

Abazoviq e bëri njoftimin përmes një postimi në rrjetin social Twitter, pas një takimi me Komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi në Bruksel.

Në fund të muajit janar, Sekretari i Shtetit i ministrisë së Shëndetësisë në Mal të Zi, Borko Bajiq, njoftoi se 84.000 vaksina të AstraZeneca-s do t’i ndaheshin Malit të Zi përmes programit Covax.

Ai pati deklaruar se dorëzimi i 25 deri 35 për qind të vaksinave pritet të ndodhë në tremujorin e parë, dhe pjesa tjetër në tremujorin e dytë.

Në tetor, qeveria e mëparshme malazeze nënshkroi një marrëveshje përmes së cilës, Mali i Zi u bashkua me mekanizmin Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Marrëveshja parashikon blerjen e rreth 250.000 dozave të vaksinave, të cilat do të vaksinojnë rreth 20 për qind të popullsisë.

Më 17 mars Mali i Zi njoftoi se 18 persona humbën jetën si rezultat i sëmundjes COVID-19 dhe u regjistruan 553 raste të të infektuarve. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme