Adelina Goxhaj nga Tepelena , një jetë me mantelin e bluzës së bardhë .

Një jetë me mantelin e bluzës së bardhë të mjekut dhe sërish me të njëjtin përkushtim. Adelina Goxhaj infermierja që është në shërbim të qytetetarëve të Tepelenës tregon historinë e saj dhe sjell në vëmendje një punë kaq të bukur e të vështirë por që ka në thelb humanizmin. Vitet e karrierës do ta kthenin pas Adelinën , gjatë sistemit në 1980 kohë në të cilën pasi mbaroi studimet e shkollës së mesme zgjodhi të ndiqte stazhin për infermiere dukë qënë ndër të parat nga zona e Tepelenës në këtë profesion.
- Quhem Adelina Goxhaj , prej 35 vitesh ushtroj detyrën e profesionit të infermieres në Tepelenë.E kam zgjedhur vetë edhe pse në ato kohë kisha pengesë nga familja.Ashtu ishte ai sistem dhe prindërit duke menduar transferimin nëpër zona të tjera nuk ranë dakort. Megjithatë këmbëngula dhe jam krenare që sot më gjithë vështirësitë mbaj mantelin e bluzës së bardhë.
- Nëse do ktheheshe pas në kohë si e kujton punën në ato vite ?
- Fillimet janë të vështira për cdokënd, sidomos kur je I ri dhe pa eksperiencë. Në këtë profesion ishte shumë e vështirë sepse ke të bësh me jetën e njerëzve dhe përgjegjësia është dyfish. Një vështirësi që kujtoj ishte mungesa e infrastrukturës , na duhej të udhëtonim me këmbë disa orë fshat më fshat në Tepelenë për të bërë vizita dhe injeksionet banorëve. Por mund të them pa frikë që puna dhe bashkëpunimi ishin shumë herë më të larta , se sot doktorët na gjendeshin afër dhe mikpritja e banorëve ishte e lartë.
Vitet kalonin dhe pjekuria e përvojës mes bluzave të bardha do të rritej ndjeshëm , caste e vështira nuk janë pak në këtë profesion që është drejtpërdrejt me jetën e njeriut. Viti 97 ai I mbrapshti për shqiptarët do ta gjente atë në punë , teksa plumbat vërshonin në godinë , teksa reziku ishte prezent edhe për jetën e stafit shëndetësor.
- Ishte vit I vështirë , mbaj mend që plumbat vërshonin në godinë. Dera e urgjencës përfundonte e thyer në të shumtën e rasteve që sillnin të plagosur. Edhe me kërcënimin e armëve te koka duhet të ruanim qetësinë për ti shërbyer pacientit. Ishte kaos . S’mund të më ikë nga memoria momenti kur sollën dy të rinj jo më shumë se 18 vjec , të dy të plagosur . Spitali u rrethua dhe në pamundësi për ti operuar të dy duhet të dërgonim njërin në Gjirokastër. E kam shoqëruar dhe nga pas na ndiqnin me makina të armatosura. Fatmirësisht shpëtuan , kjo është e rëndësishme për ne.
Mes pandemisë që ka prekur Shqipërinë dhe faktit që janë pikërisht bluzat e bardha të gjendura në frontin e parë të luftës me armikun Kovid -19 Adelina ndan eksperiencën e përditshme të kësaj pune.
- Edhe sot ku unë punoj në urgjencën e Tepelenës , ndihemi të rezikuar .Fatmirësisht nuk kemi patur humbje jete në staf por të prekur po. Jemi në vijën e parë dhe mundohemi tu shërbejmë qytetarëve të cilët sot më shumë se kurrë kanë nevojë të ndjejnë mbështetjen tonë. Rastet në Tepelenë janë rritur ndjeshëm në ditët e fundit .Pjesa dërrmuese po ndiqen në kushtet e shtëpisë me mjekim , ndërsa nuk kanë munguar rastet kur janë dërguar në Tiranë për mjekim më të specializuar. Për fat të keq edhe Tepelena është pjesë e rasteve të humbjeve të jetës.Ne jemi qytet I vogël dhe thuajse njihemi.Kjo na rëndon të gjithëve.
Dhe është pikërisht kjo kohë kur më shumë se kurrë kuptojmë që jeta duhet vlerësuar cdo ditë dhe janë mjekët ata të cilët na japin shpresë .Ky do të ishte mesazhi I Adelinës në këtë vit të vështirë :
” Urojmë që cdo gjë të kalojë mirë për të gjithë tepelenasit dhe të gjithë të fitojmë betejën e me luftën e këtij armiku të padukshëm . Kam zgjedhur të mbaj mantelin e bardhë dhe kjo nënkupton një betim për të qënë afer qytetarëve, një betim që sot ka më shumë kuptim”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




