Agjencia e OKB-së në Gaza nën akuzë, Izraeli thotë se do të ndalojë operimin e UNRWA pas luftës

“Izraeli do të tentojë të ndalojë operimin e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë në Gaza pas luftës.” Kështu u shpreh ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz të shtunën, pasi kjo agjenci shkarkoi 12 anëtarë të stafit pas dyshimeve për përfshirje në sulmin e Hamasit më 7 tetor.
Katz shtoi se për këtë vendim ai do të përpiqet të marrë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe donatorë të tjerë të agjencisë, disa prej të cilëve njoftuan pezullimin e financimit. “Ne e kemi paralajmëruar prej kohësh se Agjencia e OKB që merret me çështjen e refugjatëve pengon paqen dhe shërben si një krah civil i Hamasit në Gaza” – shkroi Katz.
Ai gjithashtu kërkoi që OKB të ndërmarrë veprime të menjëhershme kundër udhëheqjes së kësaj agjencie. Hamasi kritikoi të shtunën deklarata e Izraelit, duke i bërë thirrje OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që të mos u nënshtrohen kërcënimeve dhe shantazheve të atij vendi.
Agjencia për mbrojtjen e refugjatëve palestinezë njoftoi të premten se kishte shkarkuar disa punonjës të akuzuar nga Izraeli për përfshirje në sulmin e paprecedentë të Hamasit më 7 tetor ndaj komuniteteve në jug të vendit. “Çdo punonjës që është përfshirë në akte terrori do të mbajë përgjegjësi, duke përfshirë ndjekjen penale,” – tha shefi i JUENRUA Filipe Laxarini.
Ndërsa Shefi i OKB-së Antonio Guterrez u shpreh i shokuar nga akuzat dhe njoftoi se do të bëhej një hetim urgjent, gjithëpërfshirës dhe i pavarur për aktivitetin e agjencisë humanitare. Financuesi i madh i kësaj të fundit, SHBA, Kanadaja, Italia dhe së fundmi Australia njoftuan pezullimin e përkohshëm të fondeve për agjencinë e OKB-së për mbrojtjen e refugjatëve palestinezë.
Gazetare: V. Zharri
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




