Ahmetaj ankimon kontrollin e banesave të partneres: Të paligjshme, nuk u mor leje nga Kuvendi

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit vendimin për kontrollin e banesave të partneres së tij. Në ankimimin e siguruar nga RTSH.al, Ahmetaj i konsideron të paligjshme kontrollet që janë kryer nga Byroja Kombëtare e Hetimit e SPAK në vilat që janë në pronësi të partneres së tij.
Sipas Ahmetaj, kontrolli në banesën e bashkëjetueses së tij, janë kryer pa mandat kontrolli dhe kjo thekson ai, përbën cenim të Kushtetutës dhe ligjit procedurial. “Duke lejuar kontrollin e banesës së deputetit pa autorizim nga Kuvendi, Gjykata e Posaçme ka dhënë vendim të paligjshëm, në kundërshtim të hapur me nenin 288, par 1 të KPP. Duke vendosur të kontrollonin banesën e znj. Hoxha ato ishin të ndërgjegjshëm që po kontrollonin banesën e deputetit Ahmetaj pa mandat kontrolli, në cënim të Kushtetuteës dhe të ligjit procedural”, thuhet në ankimim.
Në dokumentin e ankimimit, thuhet se “vendimi datës 08.03.2023 i GJKKO që lejoi kontrollin e banesës në pronësi të znj.Hoxha, ku ajo bashkëjeton me Z.Arben Ahmetaj, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, është një akt i marrë në tejkalim të kompetencës funksionale të gjykatës ratione personale, pasi Gjykata e Posaçme nuk ka tagra që të autorizojë kontrollin e banesës së deputetit, kjo e drejtë sikundër argumentuam më sipër, i përket Kuvendit.
Në këtë këndvështrim, në kryerjen e këtij akti, ajo nuk i përmbushte kushtet e një “gjykate të krijuar me ligj”; ndaj vendimi i saj është një akt absolutisht i pavlefshëm”.
Po ashtu, padia është depozituar dhe nga partnerja e Ahmetajt, Erjola Hoxha, e cila kundërshton kontrollet e kryera në banesën e saj.
Në ankim, theksohet se ”Akti i detyrimit të znj.Hoxha për të deklaruar fjalëkalimin e telefonit dhe PIN e kartës SIM është një akt që cenon të drejtën e saj për privatësinë e komunikimeve. Pra, dorëzimi i fjalëkalimeve u bë i mundur kundër vullnetit të saj dhe pa pasur mundësinë e një zgjedhjeje tjetër: ajo pati frikë se mund ta arrestonin për shkak të kundërshtimit të autoriteteve gjyqësore.
Byroja Kombëtare e Hetimit ushtroi kontrolle dhe në banesën e ish-gruas së Ahmetajt, por nuk u gjet asgjë e paligjshme. Ndërsa në shtëpinë e partneres u gjet një shumë parash prej 30 mijë eurosh. Kujtojmë se ish-ministri i Financave Ahmetaj po hetohet nga SPAK në lidhje me përfshirjen e tij në aferën e inceneratorëve.
2 kallëzimet ndaj Ahmetajt
Më 22 shkurt të 2023-shit, gazetari Adriatik Doçi depozitoi një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme disa fakte, që sipas tij përbënin fakte penalisht të dënueshme në të cilat ishte përfshirë ish-zv.Kryeministri.
Po ashtu, një tjetër kallëzim është depozituar në Prokurorinë e Posaçme ndaj Ahmetajt lidhur me shpërdorimin e detyrës, për kalimin për miratim në Këshilline Ministrave të një projekt-vendimi të propozuar nga Ministria e Mbrojtjes për financimin e kontratës koncensionare për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut të Elbasanit dhe prodhimin e energjisë. Këto dy procedime penale me urdhër të prokurorit, janë bashkuar në një procedim të vetëm.
“Sipas tij në kryerjen e tyre, është përfshirë ish-ministri i financave, ish-zv.kryeministri dhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë z.Arben Ahmetaj.
Mbi bazën e këtij kallëzimi dhe dokumenteve bashkëlidhur, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal nr.30 më 24.2.2023 për krimet e parashikuara nga nenet 260, 257/a dhe 287 të KP.
Ndërkohë para asaj Prokurorie, më 19.9.2022 pati qenë regjistruar procedim penal nr.277/1. Aktet e tij u veçuan nga aktet e procesimit penal nr.277 i vitit 2020 dhe prokuroria po hetonte krimin e shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i KP, për fakte që lidhen me procedurën e kalimit për miratim në Këshillin e Ministrave të një projekt-vendimi të propozuar nga Ministria e Mjedisit mbi bazën e të cilit u miratua sigurimi i financimit të një kontrate koncesioni, për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut të Elbasanit dhe prodhimin e energjisë, në favor të shoqërisë Albtek Energy sh.p.k. Objekt i hetimeve të këtij procedimi ishin, gjithashtu, fakte që lidheshin me disa pretendime për akte të paligjshme, të kryera nga funksionarë të Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, si dhe të institucioneve të tjera, për shkak se mbështetën propozimin e Ministrisë së Mjedisit për të ndjekur procedurën e tenderimit “negociim pa shpallje” dhe sepse dyshohej për mungesë kontrolli në zbatimin e kontratës koncensionare”, thuhet në dokumentin e ankimimit.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mori vendimin për lejimin e kontrollit personal të pasurive të paluajtshme të disa persona, ndër ta, edhe të Erjola Hoxhës, e lidhur në bashkëjetesë me deputetin Arben Ahmetaj.
Por sikurse nënvizohet në dokumentin e ankimimit “Znj.Erjola Hoxha nuk është funksionare e administratës shtetërore dhe nuk ka lidhje me faktet që heton Prokuroria e Posaçme, në kuadër të procedimit penal të bashkuar me nr.277/1. Ajo bëhet subjekt kontrolli vetjak dhe të banesës vetëm për shkakun se është bashkëjetuese e z.Arben Ahmetaj, subjekt i hetimeve të këtij procedimi”.
Objekt padia e Ahmetajt dhe partneres së tij, përmban 3 kërkesa:
1- Konstatimin e pakushtetueshmërisë dhe të paligjshmërisë së vendimit nr 114, datë 08.03. 2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për lejimin e kontrollit të banesës me sipërfaqe truall 521 m 2, sipërfaqe ndërtimi 98 m2 ndodhur në Hamallaj në pronësi të Erjola Hoxhës, bashkëjetuese e Arben Ahmetajt, deputet i Kuvendit të Shqipërisë si akt që cënon sovranitetin e Kuvendit, Kushtetutën e RSH dhe Kodin e Procedurës penale.
2- Konstatimin e paligjshëm të kontrollit të banesës për shkak të mungesës së shkaqeve të ligjshme për kryerjen e tij dhe për mungesë të arsyetimit të lidhjes mes provave për kryerjen e faktit penal dhe sendeve që synojnë të gjendeshin në banesë.
3- Konstatimin e paligjshmërisë së modaliteteve të ekzekutimit të kontrollit personal të zonjës Hoxha dhe të kontrollit të banesës pasi procedura e zbatuar nga hetuesit e BKH-së ka cënuar lirinë e zonjës Hoxha në kundërshtim me ligjin, dinjitetin njerëzor të saj, të drejtën e mbrojtjes ligjore të çiftit bashkëjetues dhe privatësinë e komunikimeve elektronike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




