Akreditimi i programeve të Mjekësisë, procesi në Universitetin e Shkodrës synon përafrimin me standardet europiane
Në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe përmbushjes së detyrimeve që lidhen me grup-kapitujt për arsimin dhe profesionet e rregulluara, universitetet shqiptare po punojnë për përafrimin e programeve të studimit me standardet europiane.
Në Universitetin e Shkodrës ka nisur procesi për akreditimin e programeve të fushës së shëndetësisë.
“Ne tashmë jemi në fazën e harmonizimit të kurrikulës sonë me kurrikulën e Bashkimit Europian. Jo që nuk ka qenë më përpara, por tashmë bëhet fjalë për njohje automatike me diplomat europiane pa pasur nevojë për dokumentacione të tjera, por duhet të realizohet njohja automatike në kuadër të plotësimit të grup kapitujve”, u shpreh Shefi i Departamentit të Infermierisë së Përgjithshme, Emiljano Pjetri.
Procesi shihet si një hap i rëndësishëm për rritjen e cilësisë së formimit profesional dhe për afrimin e programeve universitare shqiptare me ato europiane.
“Risia është sepse jemi futur në proces akreditimi për të tre programet e studimit. Studentët s’do të kenë më njohje për diplomën. Tani mbrapa është i njohur automatikisht pasi të kryhet ky proces. Pra negociata për hyrjen në Bashkimin Europian janë kërkojnë edhe adoptimin, përshtatjen e programeve njësoj si ata”, u shpreh Shefi i Departamentit të Lëndëve Paraklinike, Julian Kraja.
Procesi i akreditimit pritet që të përfundojë në vitin akademik 2027-2028.
Gazetar: M Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




