Aksident në aksin Lezhë-Shkodër, automjeti përplas motoçikletën, plagoset 65-vjeçari

Një aksident automobilistik u regjistrua paraditen e së dielës në rrugën Lezhë-Shkodër, ku një 65-vjeçar mbeti i plagosur rëndë.
Aksidenti ndodhi në zonë e njohur, Kryqëzimi i Gjadrit, përgjatë superstradës Lezhë-Shkodër, ku automjeti që drejtohej nga një grua përplasi motoçikletën, me të cilën po udhëtonte 65-vjeçari Zef Paloka.
Instituti i Statistikave vetëm pak ditë më parë publikoi të dhënat e aksidenteve rrugore përgjatë muajit prill, nga ku rezultoi se, u regjistruan 69 aksidente rrugore, 25% më pak se e njëjta periudhe vitit 2022.
Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 94 persona nga 132 në muajin Prill2022.
Aksidentet rrugore, tha INSTAT, në 87,0% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha deri 24 vjeç, duke zënë 24,6% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me15,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Prill 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditë të Shtuna dhe të Diela, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur të Enjteve.
Në muajin Prill 2023, 24,6% e aksidenteve rrugore kanë ndodhur gjatë harkut kohor 14:00-17:00
Në katër mujorin e parë të vitit 2023, numërohen 332 aksidente rrugore nga 377 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 11,9%.
Numri i të aksidentuarve është 454 persona nga 524 persona të aksidentuar në katër mujorin e parë të vitit 2022.
Aksidentet rrugore, në 18,1% të rasteve, në katër mujorin e parë të vitit 2023 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit.
Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit për periudhën katër mujore është rritur me 20,0%.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



