Aksidenti në Këlcyrë, deputeti i opozitës Salianji: Policia e Shtetit nuk ka nën kontroll territorin!

Aktualitet | 3 vite më parë

Aksidenti tragjik i Këlcyrës mëngjesin e së martës, ku nga perplasja e një makine 8 persona humbën jetën u bë temë debati në komisionin parlamentar të sigurisë. 

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, tha se policia e shtetit nuk ka kontroll në territor. “Kishim të bënim me trafik emigrantësh. Është një ngjarje e përsëritur dhe tregon se policia e shtetit nuk ka kontroll në territor” tha zoti Salianji. Sipas tij “Do të duhej një aksident i rëndë për të kuptuar që Shqipëria është kthyer në han pa porta ku kalojnë emigrantët”. “Imagjinoni, kur kalojnë qënie njerëzore, çfarë bëhet me trafikun e drogës dhe sesi qarkullojnë të lirë personat në kërkim dhe të përfshirë në grupet kriminale” tha zoti Salianji.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla shprehu keqardhjen e tij për aksidentin tragjik.”Nga komunikimi me drejtorin e përgjithshëm të policisë, rezulton se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë tej normave të drejtuesit të mjetit i cili ka tentuar të shmangë kontrollet e shumta policore. Ka humbur kontrollin e mjetit e për pasojë ka ardhur aksidenti” zbardhi ngjarjen zoti Balla. 

Në bilancin e punës zoti Balla tha se “Janë 177 raste kontrabandimi, 9 për trafikim të miturish dhe policia ka identifikuar 330 persona të përfshirë gjatë 2023 nga të cilët 147 të arrestuar. I kërkoj prokurorive dhe gjykatave të shprehen me vendime për referimet e policisë së shtetit” tha ministri Balla.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme