Akti normativ për kompensimin e kompanive që kryejnë punë publike, debate në komisionin e ekonomisë

Ekonomi | 4 vite më parë

Nisma e qeverisë për kompensimin e kompanive që kryejnë punë publike në masën nga 5 deri 30% të vlerës së materialeve, ka provokuar debate në komisioni parlamentarë të ekonomisë.

Thelbi i këtyre debateve lidhej me mundësinë e abuzimit të ndërtuesve me aktin e qeverisë për ti subvencionuar. Sipas deputetit të PS-së, Erion Braçe, ky akt legalizon rritjen e çmimeve.

“Sa kohë legalizon rritjen e çmimeve, ka shumë rëndësi edhe koha dhe sa është kjo rritje çmimesh që ne do të legalizojmë”, theksoi Braçe.

Ndërsa deputeti socialist, Eduard Shalsi, vuri theksin tek fakti se e rëndësishme është që nga ky proces të mos përfitojnë kompanitë abuzive, që shfrytëzojnë momentin që, në pretekstin e rritjes së çmimeve, justifikojnë vonesat.

Por Mimoza Dhëmbi, drejtoreshë e buxhetit, theksoi në fjalën e saj se pagesat do të bëhen kundrejt situacioneve konkrete.

“Do të shikohet çmimi dhe fatura e blerjes së materialit. Merret çmimi në ditën që ai ka blerë materialin. Nuk do të kompensohen më shumë se 30%.”- tha ajo.

Deputetët kanë kërkuar më shumë transparencë se cilat do të janë projektet që do të subvencionohen dhe sa do t’i kushtojë kjo nismë arkës së shtetit.

Sipas aktit normativ, nga kompensimi për materialet e ndërtimit do të përfitojnë operatorët që po zbatojnë projektet infrastrukturore si dhe ato të rindërtimit.

Pavarësisht debateve komisioni miratoi aktin normativ për kompensimin e kompanive që kryejnë punë publike për rritjen e çmimeve nga 5% deri në 30% të vlerës së materialeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme