Akuza të forta në Vau Dejës, Tom Doshi i kërkon SPAK të hetojë blerjen e votave në Shkodër

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

Në një takim elektoral të zhvilluar në Vau Dejës, kreu i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, ka hedhur akuza të forta ndaj kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, duke e akuzuar për korrupsion, konflikt interesi dhe përfshirje në krime zgjedhore.

Doshi tha se socialdemokratët në këtë qark i kanë të sigurta tre mandate.

“I marrim në Shkodër tre mandate, sepse vetë socialistët janë mërzitur me mënyrën e qeverisjes. Kemi një kryetar bashkie në Shkodër, i cili ishte ankuar edhe tek kryeministri, se Këshilli Bashkiak nuk e kishte kaluar plazhet, hapësirat publike në plazhin e Velipojës, por ajo kompani është e gruas së vet. Ia ka vendosur emrin ‘Bio Strajca’. Sot e mbrapa ju duhet ta thirrni ‘Benet Strajca’. ‘Benet Strajca’ ke vjedhur boll, nuk të beson më Shkodra. Nuk ndikon me presion kundër votuesve të PSD-së. Edhe socialistët janë bërë me ne,” tha z. Doshi.

Kreu i PSD-së paralajmëroi se provat filmike për këto akuza do t’i dorëzohen SPAK-ut, duke bërë thirrje për hetime të menjëhershme. 

“‘Benet Strajca’ një ditë kishte mbledhur krerët e bashkive dhe kandidatët për deputetë, dhe e kanë filmuar Benetin. I thotë: Po blini votat e socialistëve! Ky është krim zgjedhor dhe këtë do t’ia dorëzojmë SPAK-ut,” shtoi z. Doshi.

Para qytetarëve të Vaut të Dejës, z. Doshi tha se PSD-ja është e vetmja alternativë për shqiptarët, pasi ka një program të qartë për shtresat në nevojë.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme