Akuzat ndaj kandidatit të PS për blerje votash me pako ushqimore, Majko: Nuk blihen hasjanët për “ilaç” rrobash

Politikë | 4 vite më parë

“Nuk blihen hasjanët për ‘ilaç rrobash’”, kështu ka deklaruar deputeti socialist Pandeli Majko për videon e publikuar në media disa ditë më parë ku kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Has, Miftar Dauti pretendonte se djali i kandidatit të PS për këtë bashki, Beqir Mulaj (I cili në Has njihet me emrin Halit Mulaj) ka shpërndarë pako ushqimore dhe produkte të tjera te qytetarët, sipas tij për të blerë votat për Vendoret e 14 majit.

Majko shprehet se blerja e votës nuk ndodh në një natë fetare sikurse ishte ajo e Natës së Kadrit, teksa e ka konsideruar si aludim, pretendimin e kandidatit të “Bashkë Fitojmë”

“Në Has, natën e shenjtë të Kadrit aludimet se kandidati i Partisë Socialiste po blinte vota me 21 pako me ushqime, kanë marrë të tatepjetën! Fantazia nuk ka limit, sa ka media që ju kanë dhuruar sot titullin kryesor!

Në se lajmi që në një natë të shenjtë po “blehen” vota do të ishte e vërtetë, ajo në gjuhën e fesë quhet Harram!

“Profesionistët” e blerjes së votës e dinë se kjo, ndodh javën e fundit të fushatës!

Blerja e votës, nuk ndodh në një natë fetare! Vota, nuk blehet një muaj para datës së zgjedhjeve! Nuk blihen hasjanët për “ilac” rrobash!”, shkruan Majko në rrjetin social Facebook.

Deputeti socialist ironizon më tej, duke thënë se akuzat e artikuluara marrin kuptim edhe kur fyen qëllimin e natës së shenjtë.

“Për këtë ka një ligj të shkruar! Ai është për cilindo sot edhe nesër!

Hasjanët do vendosin me votë! Vetëm përpara”, përfundon Majko.

Më 17 prill, u publikua në media një video ku dy djemtë e kandidatit për Kryebashkiak të Hasit ngarkonin pako me ushqime në një furgon. Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Has, Miftar Dauti pretendonte se këto pako do të shpërndaheshin për qëllim blerje votash, akuzë kjo e hedhur poshtë nga vetë kandidati i PS, i cili sqaroi se pakot do shpërndaheshin për natën e Kadrit.

Lidhur me ngjarjen, një ditë më parë reagoi dhe Policia e Hasit, e cila sqaroi se pas marrjes së autorizimit nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, kanë ushtruar kontroll mbi furgonin e bllokuar nga kallëzuesit, ku kanë konstatuar 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”, të ngarkuara në magazinën e Bashkisë.

Po ashtu, Policia ka marrë në pyetje dy vëllezërit, djemtë e Kandidatit për kryebashkiak të Hasit, Mulaj dhe magazinierin e bashkisë, në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi pakot e konstatuara brenda furgonit.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme