Akuzohet për shitblerje votash/ Apeli i GJKKO lë në burg Fredi Belerin

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar në seancën e kësaj të premte (14 korrik) vendosi të lërë në fuqi vendimin e 20 qershorit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë ndaj Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Belerit, duke lënë në burg këtë të fundit.
“R E P U B L I K A E S H Q I P Ë R I S Ë
GJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
Tiranë, më datë 14.07.2023
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 14.07.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 114 akti, datë 05.07.2023 regjistrimi, me objekt “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal”, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim Dh.A.B., ndaj vendimit nr. 259, datë 20.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 259, datë 20.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në komunikatë.
Më 20 qershor Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e Fredi Belerit për masë më të lehtë sigurie.
Kujtojmë se Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit, pasi u akuzua se u premtoi shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.
Ndërsa bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokaveshin u la nga GJKKO në “detyrim paraqitje”, për shkak të problemeve shëndetësore.
Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.
Në zgjedhjet e 14 majit Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash.
Teksa përballet me drejtësinë, e paqartë mbetet procedura se si Fredi Beleri do të kryejë betimin si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




