Alarmi nga rrjetet sociale – Dhjetëra ngjarje kriminale, kërkohet ashpërsim i Kodit Penal

Rasti i nënës së katër fëmijëve që dyshohet se u vetëhelmua si shkak i presionit psikologjik të shkaktuar nga bullizmi në rrjetet sociale nuk është një ngjarje e veçuar.
Statistikat flasin për një seri ngjarjesh kriminale që zanafillë kanë përplasjet virtuale në këto rrjete sociale.
Burime pranë policisë thanë se në vitin që lamë pas u regjistruan 33 krime nga kërcënimet online të nisura fillimisht si debate e më pas përshkallëzuan në përplasje fizike.
Prej këtyre, 18 të rinj janë arrestuar si autorë plagosjesh të rënda, kanosje me armë, djegie automjeti, shpërthim tritoli dhe gjobëvënie. Rasti më i fundit ishte djegia e një automjeti në kryeqytet.
Për autoritetet, kundërpërgjigjja mbetet rishikimi i Kodit Penal për krimin online.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në rrjetin social “Facebook” kërkoi zero tolerancë ndaj institucioneve që tolerojnë moszbatimin e ligjeve në rastet e denoncuara.
“Si shoqëri, duhet të reagojmë fort kundër krimit dhe bullizmit online, duke filluar nga fëmijët dhe familjet tona për të mos pritur viktimën e radhës pas Bedrie Lokës. Si shtet do të na duhet të rishikojmë ligjet tona dhe të mos tolerojmë moszbatimin e tyre, për të ndëshkuar ashpër këtë formë të krimit online, që po vret përditë pak e nga pak pa u ndëshkuar askush,” shkruan Manja.
Ndërhyrja në ligj shikohet edhe si një reagim i duhur nga Avokati i Popullit. Zyra e shtypit reagoi duke u shprehur se ngjarja e Bedrie Lokës duhet të shërbejë si një alarm i fortë për nevojën e një ndërhyrjeje të menjëhershme.
Gazetar: Kreshnik Mersinllari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




