Alibeaj hap fushatën në Kavajë: PD gaboi që s’u fut në zgjedhjet e 2019-ës, e papranueshme ‘martesa’ Berisha-Meta

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka hapur këtë të enjte (20 prill) fushatën elektorale në Kavajë. Në fjalën e tij në takimin me strukturat e degës së PD në Kavajë, Alibeaj ka deklaruar se kjo forcë politike të cilën ai drejton, është e besueshme pasi i qëndron vlerave.
Alibeaj tha se të gjithë ata që janë pjesë e strukturave të PD e kanë këtë veçori, atë të meritës së votës dhe besimit të qytetarëve. Alibeaj theksoi se e keqja e Shqipërisë ka emrin e Edi Ramës.
Më tej, ai u shpreh se arsyeja përse sot vendi qeveriset nga Rama, dhe fakti që sot PS mban 60 bashki, është prej gabimit të PD në zgjedhjet e 2019-ës.
“Edi Rama dhe Edi Ramat e vegjël nëpër bashki, që fatkeqësisht sot janë në 60 bashki fal gabimit tonë fatal në zgjedhjet e 2019-ës që nuk u futëm në zgjedhje. E pra, këto kanë qenë sjellje, qëndrime, pozicione tonat për të mirën jo vetëm të demokratëve, por të të gjithë shqiptarëve”, tha Alibeaj.
Ky i fundit u ndal dhe te vrasja e Ardian Nikulajt në Shëngjin, ku bëri përgjegjës mungesën e ligjit, shtetit dhe humbjen e shpresës.
Më tej, Alibeaj komentoi dhe situatën në PD, dhe atë të cilën e quajti ‘martesa Berisha-Meta’.
Sipas kreut demokrat, Berisha e pati më të lehtë që t’i shërbejë Ilir Metës, se sa demokratëve.
“Dhe është e papranueshme për Partinë Demokratike që të arrijë sot nga një pjesë që të merret për hallet personale, e të meret të shkojë tek një parti e majtë. Ku tek Ilir Meta! Ilir Meta nuk ishte ky që në 2013-ën qeveriste me Partinë Demokratike. Ishte ai I cili i la demokratët në baltë dhe shkoi bëri martesën e radhës me Edi Ramën. Ajo që vuajm ne sot, prej 10 vitesh pothuajse, nuk është gjë tjetër veçse është një regjim i cili vjen sipas edukatës politike të ish-bllokut”, tha Alibeaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




