Alibeaj i shtrin dorën e pajtimit “Rithemelimit”: 3 pikat e platformës së PD-së për bashkim në zgjedhje

Politikë | 4 vite më parë

Enkelejd Alibeaj, kryetari në detyrë i PD-së, ka parashtruar 3 opsionet për bashkimin e të gjithë demokratëve dhe të forcave opozitare, në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas tij, platforma e PD-së për bashkim parashikon:

1)  krijimin e aleancave

2) listat për këshillat bashkiakë

3) kandidatët për kryebashkiakë  

Alibeaj ka nënvizuar se sa i përket kandidatëve për kryebashkiakë, është i hapur të marrë në vlerësim edhe ata kandidatë që plotësojnë kushtet dhe që janë pjesë e Rithemelimit, me qëllimin e vetëm që të dilet me një kandidat të vetëm në zgjedhjet vendore.

“Dera është e hapur për kandidatët për kryetarë bashkie, në funksion të bashkimit. Edhe ata që kanë dalë nga votimet në Primare nga grupi i Rithemelimit, si dhe kandidatë të tjerë që janë propozuar në PD. Kemi gjetur mbështetjen për hapjen pa asnjë kufizim ndaj të gjitha prurjeve, si për kandidatët tanë që janë propozuar, ashtu edhe për kandidatët nga Rithemelimi, me synimin e vetëm që të dalim me një kandidat të vetëm”, tha Alibeaj, në një prononcim për mediat.

Lidhur me aleancat ose koalicionet, alibeaj nënvizoi se PD do të marrë përsipër që të udhëheqë në ndërtimin e një aleance sa me të gjerë të mundshme me të gjithë partitë e qendrës së djathtë, me synim maksimizimin e votave për një të djathtë plural, ku secili subjekt zhvillon indentitetin e vet poltitk brenda kornizës përbashkuese të vlerave demokratike, kombetare dhe Perëndimore.

Një pikë tjetër është edhe lista e këshilltarëve bashkiakë. Sipas Alibeajt, do të fillojë menjëherë puna për hartimin e këtyre listave.

“Ftoj demokratët dhe intelektualët rreth PD-së të shprehin interesin për të qenë pjesë e listës së këshilltarëve të PD-së në bashkitë respektive.  Kryesia do të miratojë edhe një udhëzim të detajuar për mënyrën e zgjedhjes dhe renditjes së tyre në mënyrë demokratike dhe të  drejtë.”- u shpreh Alibeaj.

Sipas tij, PD është e vetëdijshme për vështirësitë e situatës parazgjedhore, por u shpreh se është më i vendosur se kurrë për t’ja dalë me demokratët pa dallim, me zgjedhësit, me qytetarët shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët perëndimorë, me SHBA, vendet e BE-së dhe Britaninë e Madhe.

/rtsh.al/ 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme