Ambasadori i OSBE për ndarjen e PD-së, çfarë duhet të bëjë opozita dhe rëndësia e një vendimi të pandikuar nga gjykata

Ndarja e opozitës në dy grupime përbën shqetësim edhe për faktorin ndërkombëtar, pasi siç shprehet ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë “një opozitë e fortë është e nevojshme për funksionimin e demokracisë”.
Gjatë një interviste me gazetaren Elona Meço, në emisionin “Pa Censurë” në RTSH, ambasadori Guido de Sanctis ka një mesazh për opozitën. “Opozita, për mendimin tonë, duhet të gjejë një mënyrë për të shkuar përtej ndarjes aktuale.
Nuk e themi se si duhet të bëhet kjo, nuk po themi që zgjidhja gjyqësore parapëlqehet ndaj një marrëveshjeje.
Një marrëveshje është gjithnjë më e mirë sesa një vendim gjykate. Gjithsesi, jam i bindur që ndarja e brendshme e opozitës sot duhet tejkaluar shpejt dhe me mençuri, në mënyrë që të ketë funksionim më të mirë të demokracisë shqiptare.”- u shpreh Kreu i Prezencës së OSBE-së.
Duke vënë në dukje se ai ishte në komunikim me të gjithë grupimet e opozitës, të cilëve ua ka përcjellë këtë mesazh, Ambasadori theksoi rëndësinë e marrjes së një vendimi të pandikuar nga gjykata. “Askush, as qeveria, as Prezenca e OSBE-së, nuk mund të ndërhyjë në procedurat gjyqësore.”
PJESË NGA INTERVISTA ME GAZETAREN ELONA MEÇO NË EMISIONIN “PA CENSURË”, RTSH
Ka raste kur konsensusi është i nevojshëm, ka raste kur mazhoranca vetë nuk mund të arrijë te vendimi. Siç e thashë edhe më parë, keni edhe pjesën tjetër të demokracisë, që është dialogu, pra dialogu midis mazhorancës dhe opozitës.
Kjo është pjesa e jetës politike në Shqipëri, në të cilën palët e interesit duhet të punojnë me më shumë vizion, do të thosha, me më shumë mirëbesim të ndërsjellë dhe me vizion. Ky ndoshta është, siç po thosha që në fillim të intervistës, problemi i sotëm, pra që duhet të punohet për besimin e ndërsjellë, edhe përbrenda opozitës.
Çfarë do të thotë kjo e fundit?
Mendoj se të gjithë pajtohemi që një opozitë e fortë është e nevojshme për funksionimin e demokracisë, për të miratuar ligjet, për të marrë vendimet e rëndësishme, siç e thatë edhe ju.
Opozita, për mendimin tonë, duhet të gjejë një mënyrë për të shkuar përtej ndarjes aktuale. Nuk e themi se si duhet të bëhet kjo, nuk po themi që zgjidhja gjyqësore parapëlqehet ndaj një marrëveshjeje.
Në vizionin tonë të një bote ideale, një marrëveshje është gjithnjë më e mirë sesa një vendim gjykate. Gjithsesi, jam i bindur që ndarja e brendshme e opozitës sot duhet tejkaluar shpejt dhe me mençuri, në mënyrë që të ketë funksionim më të mirë të demokracisë shqiptare.
Meqenëse jemi tek opozita, më lejoni t’ju pyes, cila është marrëdhënia që ju keni ndërtuar, ju personalisht, me opozitën? Komunikoni me të dyja pjesët e opozitës?
Unë kam komunikim me të gjithë përfaqësuesit e opozitës dhe, meqë ra fjala, më lejoni të them që kam komunikim me të gjithë përfaqësuesit, në përgjithësi, të të gjithë spektrit politik në Shqipëri. Për t’iu kthyer pyetjes suaj, po, jam takuar me përfaqësuesit e të gjitha këtyre, t’i quajmë kështu, të të gjitha fraksioneve të palës opozitare.
Kam marrë informacione tejet interesante, po ashtu kam përçuar edhe mesazhin që sapo jua thashë, që një marrëveshje do të ishte zgjidhja më e mirë. Por e kuptoj që ka një procedurë gjyqësore, prandaj askush, as qeveria, as Prezenca e OSBE-së, nuk mund të ndërhyjë në procedurat gjyqësore.
Është ajo që kemi mësuar në shkollë, që pushteti gjyqësor është i pavarur dhe është elementi më i rëndësishëm i zbatimit të ligjit, në cilindo vend demokratik. Pra, gjyqi do të vazhdojë dhe unë nuk komentoj mbi atë që mund të ndodhë, por ndihem i detyruar të dërgoj mesazhin e gjetjes së marrëveshjes, veçanërisht kur takoj njerëz të të gjithë fraksioneve të opozitës.
Kur ju u kërkoni që opozita të bashkëpunojë, të gjejë një marrëveshje, si ju përgjigjen ata, nëse mund të na e thoni?
Tani po gërmoni në biseda private, por mund t’ju them që askush nuk përgjigjet, apo ta them kështu, të gjithë pajtohen që një marrëveshje është zgjidhje më e mirë sesa një vendim i imponuar nga gjykata apo nga lart. Në teori, të gjithë pajtohen me këtë, po.
Por?
Por, ju jeni gazetarja, ju duhet ta ndiqni çfarë ndodh. Unë e ndjek, u referohem edhe mediave për të kuptuar se çfarë ndodh, mediave dhe bisedave private. Pra, më tregoni ju se çfarë ndodh.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.


