AMF: Tregu i sigurimeve rritje me 15.2 %

Tregu i sigurimeve e mbylli pesëmujorin e parë të këtij viti me një rritje prej 15.29 % të primeve të shkruara bruto, duke arritur në rreth 8.9 miliardë lekë të ardhura, njofton Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në një raport së fundi.
Sipas raportit gjatë periudhës janar-maj 2023, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 505 098 me një rritje prej 13.36 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
AMF vlerëson se tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.97 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e Jetës kanë 7.93 % dhe risigurimi 0.102 %.
Sigurimi vullnetar zë 46.50 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53.50 % të totalit të tregut.
Gjatë muajit janar-maj 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,706 milionë lekë, ose 0.32 % më pak se në muajin janar-maj 2022. Kjo ka ardhur kryesisht për shkak të efektit të sigurimit të pronës, si pasojë e përfundimit të pagesave të dëmeve të ngjarjeve të tërmetit të vitit 2019.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për muajin janar-maj 2023 kapën vlerën 1,953 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 9.44 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
/ rtsh. al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




