Amnistia penale, zv.ministri i Drejtësisë në RTSH 24 jep detajet dhe numrin e përfituesve

Aktualitet | 3 vite më parë

Zëvendësministri i Drejtësisë, Klajdi Karameta, ishte në studion e RTSH 24, ku bëri të ditura detajet e amnistisë penale, e miratuar të enjten në parlament, si dhe numrin e përfituesve apo kategoritë që përjashtohen.

“Kemi rreth 1.100 veta në total që përfitojnë nga parashikimet ligjore të amnistisë. Rreth 700 persona, burra e gra, u bie që të dalin nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërkohë që rreth 400 të tjerë në total do kenë një ulje të dënimit. Përfitues janë të dënuarit burra me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim deri në 4 vjet dhe personat e dënuar mbi 4 vjet, por që u ka mbetur pa vuajtur një periudhë deri në 4 vjet. Përfitojnë edhe të dënuarat gra me vendim gjyqësor me burgim deri në 5 vjet, dhe gratë që janë dënuar me vendim të formës së prerë mbi 5 vjet, por që u ka mbetur pa vuajtur një periudhë deri në 5 vjet. Përfituesit janë edhe gratë e dënuara që kur ka hyrë në fuqi ligji janë mbi 50 vjeç dhe burrat e dënuar, të cilët në datën e hyrjes në fuqi të ligjit janë mbi 60 vjeç, apo të miturit, të cilët deri në hyrjen në fuqi të ligjit kanë qenë në moshën deri 18 vjeç,” deklaroi zv.ministri Karameta.

Amnistia penale ka qenë në periudha ciklike, çdo 3 ose 4 vjet, ku përfitues kanë qenë personat që vuajnë dënime apo familjarët e tyre.

Zbatimi i amnistisë nis sapo projektligji të dekretohet nga Presidenti i Republikës dhe më pas të botohet në fletoren zyrtare.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme