Anëtarësimi i Suedisë në NATO, Kryeministri suedez pranon të takohet me Orbanin

Botë | 3 vite më parë

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson ka pranuar propozimin e kryeministrit hungarez Viktor Orban për të zhvilluar bisedime.

Parlamenti i Hungarisë ende nuk e ka ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke nxitur zhgënjimin në të gjithë aleancën pasi Budapesti ishte zotuar vazhdimisht të mos ishte i fundit që do të nënshkruante.

Më herët gjatë javës, Orban i shkroi homologut të tij suedez duke sugjeruar një takim.

“Jam dakord me ju se një dialog politik më intensiv midis vendeve tona do të ishte i dobishëm. Ka, siç e përmendni, disa çështje me interes të përbashkët – dypalësh, me bashkëpunimin tonë për avionët luftarakë Gripen; në BE, në funksion të Presidencës suaj të ardhshme; dhe sigurisht, brenda NATO-s, si aleatë. Përfundimi i procesit të ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO në parlamentin hungarez do të krijojë një bazë solide për të ecur përpara në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të përforcuar mirëkuptimin dhe besimin reciprok”, shkruan Kristersson në një letër të publikuar nga SVT e Suedisë.

Një ditë më parë, Orban bëri me dije se do t’i kërkonte parlamentit të Hungarisë të votonte në favor të anëtarësimit të Suedisë. Sot, megjithatë, kryetari i parlamentit të Hungarisë, László Kövér tha se nuk ka urgjencë për këtë çështje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme