Arrestimi i 3 shqiptarëve nga Kosova, Balla i përgjigjet pretendimeve për keqtrajtim: AMP ka nisur hetimet

Aktualitet | 3 vite më parë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar mbi publikimet e bëra në mediat e Kosovës lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit, ku u kap një sasi prej 46 kg tritol.

Balla shprehet se pretendimi për orët e tepërta të mbajtjes së të arrestuarve në polici nuk qëndron, përkundrazi shton ai, Policia e Shtetit veproi shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve.

”Keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë”, tha Balla.

Në datë 4 shkurt Salla Operative e Tiranës i ka dërguar informacion Sallës Operative Kukës se një mjet me targa të Kosovës, nëse konstatohej duhej ndaluar për shkak të një hetimi në ndjekje e sipër. Në ora 00:30, në Pikën e Kontrollit të vendosur në “Rrugën e Kombit”, Policia e Kukësit ka identifikuar mjetin tip “BMW”, ku pasagjer në vendin e parë ndodhej shtetasi kosovar L.P., i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

“Pas mjetit të parë tip “BMW” me targa të Kosovës, objekt kontrolli, ishte edhe një automjet i dytë tip “Skoda”, i cili nga intervistimi i pasagjerëve, rezultoi se udhëtonin së bashku. Automjetet së bashku me personat u shoqëruan në ambientet e DVP Kukës për verifikime të mëtejshme duke zbatuar procedurat standarde të shoqërimit. Punonjësit e Policisë u kanë bërë me dije arsyet e verifikimit dhe shoqërimit, në bazë të kërkesës nga DVP Tiranë. Theksojmë se drejtuesi i mjetit ka pranuar dhe nuk ka kundërshtuar për asnjë moment punonjësit e policisë.

Shërbimet e DVP Tiranë kanë udhëtuar drejt DVP Kukës menjëherë sa kanë marrë njoftim, dhe kanë marrë shtetasit e shoqëruar dy automjetet e lartpërmendura, duke kryer veprimet administrative sipas procedurës standarde të Policisë Shtetit””, shtoi ai.

3 personat nga Kosova Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkëlqim Halabaku, 27 vjeç, u arrestuan në afërsi të urës së Gjolës në Krujë gjatë operacionit të koduar “The Same”.

Shqiptarëve nga Kosova iu sekuestruan edhe 203 kallëpe me lëndë plasëse të dyshuar tritol TNT, me peshë 46 kg.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme