Arrestimi i drejtorëve të bashkisë, Veliaj: Po bëhet gjueti shtrigash!

Kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj ka komentuar të shtunën arrestimin ditët e fundit të disa drejtorëve të bashkisë që ai drejton.
Ata janë akuzuar se gjatë kohës që ushtronin funksionet kanë shpallur fitues shoqërinë e tyre “5D Konstruksion” në disa tendera.
Zoti Veliaj foli për “gjueti shtrigash, turra drush për të djegur përsëgjalli kryetarë bashkish, kryeministër, president”.
“Gjykatat në fund e ndajnë shapin nga sheqeri” tha zoti Veliaj.
“Jam përpjekur të kuptoj, sa e kam pasur unë të mundur, se si janë zhvilluar ngjarjet që çuan në ngritjen e akuzave për këta zyrtarë të institucionit që unë drejtoj” tha zoti Veliaj.
Ai kujtoi parimin socialist se “ Çështjet që hap drejtësia e re, me këdoqoftë dhe kudoqoftë, në cilindo nivel të përgjegjësive ekzekutive dhe administrative, nuk janë për t’u komentuar në aspektin e tyre ligjor, por janë thjesht për t’ua besuar organeve të drejtësisë. Cilido individ që është përfshirë në këto çështje, duhet të përballet vetë me drejtësinë, i zhveshur nga çdo lloj mbrojtjeje tjetër, përveç mbrojtjes ligjore nga avokatët e vet” tha zoti Veliaj.
Duke deklarur se nuk ka asnjë koment për vërtetësinë e akuzave, zoti Veliaj tha se „Kjo vijë e kuqe ma bën të pamundur futjen në debat për faktet, me ata të cilët e shfrytëzojnë lirinë e fjalës në media për të bërë prokurorin, sigurimsin modern apo inkuizitorin mesjetar, duke më përfshirë edhe mua në të dënuarit pa gjyq, për sa ka ndodhur ose nuk ka ndodhur”.
Zoti Veliaj e vlerësoi punen e ish bashkëpunëtorëve të tij “në bazë të rezultateve, që flasin vetë në çdo cep të qytetit, për këdo që do t’iu referohet arritjeve reale në sektorët që ata kanë drejtuar, në kohën që kanë punuar në Bashkinë e Tiranës”.
Një ditë më parë opozita protestoi para Bashkisë së Tiranës dhe kërkoi dorëheqjen e zotit Veliaj, pas arrestimit të bashkëpunëtorëve të tij.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




