Arrestimi i ish-agjentit të FBI-së/ Berisha: Rama e ka kthyer Kryeministrinë në një kënetë korruptive

Ish-kryeministri Berisha në një komunikim me gazetarët ka deklaruar se Edi Rama e ka kthyer zyrën e Kryeministrisë në një kënetë korruptive duke iu referuar lidhjeve me ish-agjentin e FBI-së të arrestuar në SHBA.
Sipas Berishës, vetë gjykata amerikane e cilëson qeverinë shqiptare si çerdhe korrupsioni. Ndërsa shtoi se i bën thirrje Kongresit të SHBA dhe FBI-së, të hetojnë të gjitha veprimtaritë e McGonigal dhe paraardhësit të tij.
“Edi Rama e ka shndërruar Tiranën, zyrën e tij, në një kënetë të vërtetë korruptive. McGonigal jo rastëssiht ka zgjedhur Tiranën. Megjithatë unë i bëj thirrje FBI-së dhe Kongresit të SHBA, të hetojnë me seriozitetin më të madh se cilat janë pikat që bashkuan Edi Ramën me McGonigal. kush e solli, kush e rekomandoi, kush qëndron në mes të këtij akti makabër ndaj një vendi partner, ndaj SHBA. Shtoj këtu se në grupin e personave që hetohen nga pala amerikane është edhe parardhësi i McGonigal, Lou Bladel, i cili ka kontrata të firmosura me qeverinë e Edi Ramës i cili rezulton të jetë i implikuar direkt, sipas të dhënave, në betejat kundër opozitës. I bëj thirrje edhe njëherë Kongresit të SHBA dhe FBI-së, të hetojnë të gjitha veprimtaritë e McGonigal dhe paraardhësit të tij. Gjithashtu dua të sjell në vëmendjen e madhe se Juria e Madhe e San Françiskos, që ka urdhëruar hetimin e çdo regjistrimi, materiali, dokumenti, personi, përfshi këtu telefonat, emailin, aplikacionet e enkriptuara, mesazhet zanore, midis Charles McGonigal për pikat që vijojnë: Agron Nezës, Tomas Fitzgerald- bashkëpunëtor i McGonigal, Lou Bladel- i kontraktuar nga Edi Rama për veprimtari me pamje të parë policinë, por në fakt kundër opozitës, qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe çdo personi të lidhur me qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Imagjinoni se çfarë çerdhe, çfarë vatre korruptive e konsideron gjykata amerikane qeverinë e Shqipërisë, çdo personi të lidhur me qeverinë këtu, përfshi këtu dhe jo vetëm kryeministrin Edi Rama. Çdo lloj dhurate, pagese për Charles McGonigal nga Agron Neza, Dorian Duçka apo person tjetër i lidhur me qeverinë e Shqipërisë”, u shpreh Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



