Arrestimi i ish-shefit të policisë së Dhërmiut, Alibeaj: Trafiku i drogës bekohej nga Rama, ekzekutohej nga Saimir Tahiri

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas arrestimit të ish-shefit të Policisë në Dhërmi Sokol Bode si i akuzuar për lidhjet me grupin e “Habilajve”. Alibeaj deklaron se PD ka denoncuar sistematikisht me prova përfshirjen e policisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës, e cila bëhej me bekimin e Kryeministrit dhe ekzekutohej nga vartësi besnik Saimir Tahiri (ish-ministër i Brendshëm). Sipas Alibeajt, Shqipëria vijon ende të mbetet peng i krimit dhe bandave.

“Sokol Bode, ish-shefi i policisë në Dhërmi prej nga niseshin tonelata e drogës drejt Italisë e Greqisë arrestuar sot pas 5 vitesh arratie është dëshmia më e qartë se Policia e Shtetit ishte vënë në dispozicion të bandës së drogës në Vlorë, e ku përgjimet tregojnë qartë sesi shefat e policisë punonin nën urdhrat e shefave të krimit e të trafikut.

Për më shumë se 9 vite, Partia Demokratike ka denoncuar me prova përfshirjen e policisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës. Tashmë është e qartë se e gjitha kjo bëhej me bekimin e kryeministrit dhe ekzekutohej nga vartësi i tij besnik Saimir Tahiri.

Qeveria e Rilindjes në pushtet për vite më radhë e kanabizoi vendin dhe në krye të këtij operacioni kriminal qëndronte kupola e policisë, ministrisë së brendshme dhe kryeministrit.

Shqipëria ende vazhdon të mbetet peng i krimit e bandave. Edi Rama nuk mund ta luftojë dot krimin dhe trafikun e drogës, pasi ata e kanë sjellë në pushtet duke blerë e grabitur vota për të dhe sot ai nuk është gjë tjetër veçse peng i bandave të tij”, shkruan Alibeaj në rrjetin social Facebook.

Më 11 gusht Policia ka vënë në pranga 43-vjeçarin Sokol Bode i dënuar nga GJKKO me 12 vite burg, pasi akuzohet se kishte lidhje me grupin e “Habilajve”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme