Arrestimi i Kajmakut, Tabaku: Fituat pushtetin me njerëz të tillë! Rama: Drejtësia po funksionon

Arrestimi i ish kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku me 20 kg kokainë në Itali është bërë shkak i debateve dhe replikave në Kuvend mes opozitës dhe kryeministrit Edi Rama. Teksa deputetët e PD-së, Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj u shprehën se Rama e ka fituar pushtetin pikërisht me njerëz si Kajmaku të përfshirë në krim, kryeministri e ka cilësuar këtë si provë që reforma në drejtësi po funksionon.
“Kisha Kajmakun, kundërshtar, ai që nuk verifikohet për asnjë gjobë, ai simbol i punës së kësaj, ai kajmakët e tjerë, gjalpat, gjizat si i quani, kjo është farsa e kësaj qeverie, që mendon se sa më të varfër të tjerë, aq më lehtë do të blihen, se janë të sigurt se do gjejnë kajmak të tjerë, opozita sot nuk është e fortë, po të kisha qenë në vendin tënd, s’do e përdorja kurrë, për ta përdorur dobësinë e tjetrit për të bërë politikën e ditës, bëje me vendimet e tyre, me mënyrën se si ke fituar pushtetin, e me kajmakët, gjizën e gjalpët me radhë”, tha Tabaku.
“Kaloi nga domatet te dekriminalizimi, ishte një kapërcim shumë i madh nga tema. Dy fjalë kisha për këtë, fole për një linjë telefoni anti korrupsion, ajo ka qenë “alo doktor”, jo linjë e qeverisë sonë, dhe dilte doktori dhe i thyente brinjët korrupsionit. Ndërkohë që, përkundrazi mua më vjen mirë që ju i përmendi ato që në fakt janë provat e një ndryshimi rrënjësor të cilin po e sjellim ne, jo ju. Nëse sot ka ish-ministra apo deputet, apo kryetar Bashkia të lidhur me partinë në pushtet që janë duart e drejtësisë kjo nuk është një diçka që ka ardhur nga qielli, por kjo është një zhvillim që ka ardhur nga reforma në drejtësi, rezultat i kërkuar me këmbëngulje nga ne, jo prej jush, kjo është një arsye më shumë pse shqiptarët na besojnë ne jo ju”, tha Rama.
Ndërkohë që Rama përdori ironi me Tabakun ku tha se kaloi nga domatet te dekriminalizimi, i është përgjigjur deputeti Alibeaj, i cili tha se ndërkohë që opozita merrte me rritjen e çmimeve në kurriz të shqiptarëve, Rama merret me lulet e Kajmakut ku ishte fshehur kokaina.
“Ne me domatet do merremi, ti merresh me lulet e Kajmakut. Bëhu burrë njëherë, fol për Non Grata e tua, i ke me shumicë në grupin tënde, gjysmë zëri nuk nxjerr për raportin e DASH, por jo vetëm kaq del e i mbron, Kujto se c’ke thënë një vit më parë. Bëhu burrë dhe mos i ul poturet para tyre, ende vazhdon në sirtarët e këtij parlamenti, vettingu për politikën, ke ti fuqi për ta bërë. Lista e pritjes duket që e ke të gjatë, për këtë merakosu ti”, tha Alibeaj.
Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku u arrestua në Itali me 20 kg kokainë, që nëse do të hidhej në treg do të kapte vlerën e 1 milion euro.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




