Asnjë pendesë nga Dan Hutra, dëshmia tronditëse e autorit që vrau tri gra, 3 i plagosi

Aktualitet | 4 vite më parë

Një plan i mirëmenduar i Dan Hutrës, ku në ditën e parë të muajit mars, u mori jetën 3 grave dhe plagosi 3 të tjera në Tiranë. Në policinë e Tiranës, 40 vjeçari ka rrëfyer pas arrestimit se që kur u burgos për dhunë në familje, akuzuar nga ish bashkëjetuesja Elena Hysa, mendimi i tij ishte të vriste këdo që i kishte rënë në qafë.

“Sapo kam dalë nga burgu kam nisur të planifikoj vrasjet. Shkoja dhe vija çdo ditë nga Kukësi dhe vëzhgoja personat. Sigurova armën dhe makinën me qera derisa u poqën kushtet që t‘i vrisja. Nuk pendohem sepse vdekjen e kanë merituar jo vetem ato por edhe te tjerë që s‘munda dot t’i gjeja. Unë nuk kisha asnjë qëllim në jetë vetëm t‘u merrja jetën atyre që më kanë hyrë në hak“ ka rrëfyer Hutra ndërsa tha se synonte të kryente një tjetër vrasje. Ai fajësonte Rrahman Selën për vrasjen e të atit.

Pasi ka marrë makinën me qera, dhe la të plagosur me thikë të ish dashurën 40 vjeçare, Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, Dan Hutra u drejtua në Kodër-Kamëz në shtëpinë e familjes Hysa. Ai fillimisht ka qëlluar me armë motrën dhe kunatën e Elenes që po lanin makinën. Më pas është futur në banesë dhe ka qelluar Elenën dhe mamanë e saj. Prej aty është larguar dhe ka shkuar ne banesën e  Etleva Kurtit duke e qëlluar për vdekje në oborr.

Etleva jetonte e vetme. Pasi vëllezërit e tjerë që i druheshin hakmarrjes, ishin larguar pas burgosjes së Vladimir Kurtit.

Një itinerar përtej çmendurisë i njeriut që ia doli t’i shpëtojë me dënime minimale përgjatë viteve edhe pse mbi të rëndon vrasja e një tjetër bashkëjetuese në vitin 2007 në Kukës, përdhunime, pengmarrje e plagosje.

Në shtëpinë Hysa janë hapur sot dyert e mortit, teksa kanë mbërritur nga Gjermania dhe 2 vëllezërit emigrant të Elenës. Ata vajtojnë për motrën 30 vjeçare, Mevlute Hysa që mbeti viktimë e plumbave të Dan Hutrës. Ndërsa varrimi i nuses së shtëpisë,  Hasime Dafku do të behet në Kukës, ku ajo ka familjen.

Nga spitali i Traumës mësojmë se dy të plagosurat Elena Hysa dhe nëna e saj janë jashtë rrezikut për jetën.

Gazetarja: Flutura Tota

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme