Autoriteti i Konkurrencës hetim ndaj katër prodhuesve të nënprodukteve të qumështit

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi të mërkurën se ka hapur një hetim të thelluar në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit.
Bëhet fjalë për firmat e njohura të përpunimit të qumështit Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, ADG SHPK (Lufra), SHAKA Boboshticë SHPK.
Duke iu referuar analizës së tregut të prodhimit dhe shitjes me shumicë të nënprodukteve të qumështit, rezulton se sjellja e ndërmarrjeve me pjesë të konsiderueshme tregu, mund të përbëjë abuzim me pozitë dominuese.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj këtyre katër ndërmarrjeve në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit. Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 – 31 dhjetor 2023.
Nga informacioni i administruar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe i cituar nga Autoriteti i Konkurrencës në vendimin për hapjen e hetimit paraprak, vitin e kaluar, rezulton se në tregun e prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit në territorin e Republikës së Shqipërisë ushtrojnë veprimtari rreth 240 subjekte, ku janë të përfshirë dhe personat fizikë të cilët përpunojnë qumësht në zona të kufizuara gjeografike dhe me sasi shumë të vogla.
Bazuar në të dhënat e depozituara, Autoriteti i Konkurrencës realizoi kryerjen e inspektimeve pranë ndërmarrjeve që zotërojnë pjesë të konsiderueshme të tregut të prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit në qytetin e Tiranës, Durrësit, Kavajës, Divjakës, Lushnjës, Fierit, Vlorës, Beratit, Krujës dhe Shkodrës.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



