Avioni luftarak fluturon mbi kokat e pushuesve në bregdetin e Florida-s, marina amerikane nis hetim

Zyrtarët e skuadrës elitare të demonstrimeve ajrore të Marinës së Shteteve të Bashkuara, Blue Angels, kanë bërë të ditur se kanë nisur një rishikim të ngjarjes pasi në rrjetet sociale u publikuan pamje ku një avion i skuadrës fluturon në lartësi shumë të ulët mbi një turmë pushuesish në Pensacola Beach, Florida, të mërkurën në mëngjes.
Në një deklaratë zyrtare, Blue Angels thanë se gjatë një manovre mbërritjeje, një nga avionët fluturoi më ulët se profili standard i fluturimit, duke shkaktuar shqetësim në plazh dhe duke prekur çadrat dhe karriget e pushuesve.
“Gjatë një manovre mbërritjeje, një avion fluturoi në një lartësi më të ulët se ajo e parashikuar nga procedurat standarde, duke shkaktuar një shqetësim në plazh që preku çadrat dhe karriget e civilëve”, thuhet në deklaratë, ku ngjarja përshkruhet si një “kalim në lartësi të ulët”.
The Blue Angels are practicing for their show on Pensacola Beach this weekend. Everyone got a beach buzz. pic.twitter.com/6Xp5LjEeHa
— Terri Green (@TerriGreenUSA) July 15, 2026
Televizioni lokal WEAR, partner i ABC në Floridën Veriore, raportoi se fluturimi ndodhi gjatë aktivitetit të njohur “Breakfast with the Blues”, një ngjarje tradicionale ku publiku ndjek nga afër mbërritjen dhe demonstrimet e pilotëve të Blue Angels.
“Kam ardhur këtu prej 10 vitesh dhe nuk kam parë kurrë një kalim të tillë. Për një moment mendova se avioni do të na godiste, por ishte e jashtëzakonshme”, tha Ashley Korn për WEAR.
Në deklaratën e tyre, Blue Angels theksuan se siguria mbetet prioriteti kryesor. “Siguria e komunitetit tonë, e spektatorëve dhe e pilotëve tanë është prioriteti ynë më i lartë. Drejtuesit e skuadrës po shqyrtojnë rrethanat e kësaj manovre dhe po zhvillojnë një analizë të plotë të sigurisë për t’u siguruar që të gjitha operacionet përputhen me standardet e rrepta të sigurisë të Marinës së SHBA-së dhe Administratës Federale të Aviacionit (FAA)”, thuhet në deklaratë.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




