Avokat Beqiri: Bandat kanë bashkëpunëtorë që nga politika deri tek gazetarët e kronikës

Në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës ka pasur shpesh arrestime dhe zbulime të përfaqësuesve të policisë që kanë dekonspiruar operacionet e efektivëve duke lajmëruar bandat e krimit.
Për avokatin Idajet Beqiri kjo ndodh pasi krimi në vend “është më i fortë se shteti, ka më shumë para se shteti”.
Në “Jetë Shqiptare” në RTSH, Beqiri tha se krimi ka para dhe në këtë mënyrë e ka shumë të lehtë të marrë mbështetje qoftë nga politika deri tek gazetarët e kronikës, ku sipas tij di raste konkrete se ata janë të lidhur me bandat e krimit dhe i njoftojnë sa herë policia nis aksion për zbulimin dhe kapjen e tyre.
“Krimi i organizuar në Shqipëri është jashtëzakonisht i fortë dhe atë e ka bërë të fortë paraja. Trafiku i drogës sjell të ardhura të mëdha dhe e ata e kanë të lehtë të bëjnë bashkëpunëtorë si nga politika, si në sistemin gjyqësor dhe deri te gazetarët e kronikës. Pasi bëjnë para të mëdha ata duan mbështetje për të mbuluar krimin dhe të lehtësojnë pozitën e tyre po u kapën dhe të gjykohen. Krimi i organizuar nuk mund të bëhet pa mbështesje të politikës dhe organeve që hetojnë krimin. Nëse një çështje do hetohet mirë patjetër do dalë një person që ka një pushtet që nga stërvitja e kriminelit duke i bërë qitës të mirë deri tek sigurimi i armëve. Bashkëpunëtor të një niveli të tillë si punonjës të policisë ata marrin 1/5 e vlerës së drogave të forta”, tha Beqiri
Avokati Beqiri tha se gazetarët e kronikës së përfshirë marrin pjesën e tyre gjatë kultivimit të bimëve narkotike, madje shtoi se në disa raste ka edhe parcela të mbjella për drejtorët e policive që mbrojnë këta kriminelë.
“Gazetari apo gazetarja e kronikës merr informacion të vazhdueshëm nga SPAK e policia dhe atë informacion bën rolin e policit dhe e çon direkt te grupi kriminal. Kam raste konkrete. Sa nisen nga Tirana dhe venë në Vlorë, grupi kriminal ka marrë informacionet dhe ka pastruar situata implikuese. Ata marrin pjesën e tyre të kultivimit të bimëve narkotike. Janë disa raste të tilla. Ka raste ku ka parcela të dedikuara për efektivët apo drejtorët e policive të përfshirë në trafikun e drogës. Këtu nuk përfshijë të gjithë gazetarët e kronikës, por ka 2-3 hesapexhij dhe hesapexhesha që mund t’i dalloni që në mënyrën si bëjnë kronikën për të kuptuar që kanë shumë informacion, ka dhe femra gazetare të infiltruar”, tha avokati.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




