Bajram Begaj pranon propozimin e PS për President: Do jem në lartësinë e duhur! Rama: Nder t’ju japim votën

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj ka pranuar propozimin e Partisë Socialiste si kandidat për President. Pas një takimi të zhvilluar në kryeministri me kryeministrin Edi Rama, Begaj e konsideroi propozimin e emrit të tij si vlerësim të madh, teksa theksoi se do të jetë në lartësinë e duhur të detyrës nëse do të zgjidhet në Kuvend si Presidenti i ri.
“Është vlerësim shumë i madh të jesh President i një vendi dhe do përpiqem të jem në lartësinë e detyrës, të jem i përgjegjshëm në kryerjen e kësaj detyre. Nëse nesër do votohem në parlament do të jem i lumtur ta kryej detyrën”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se socialistët do të jenë të lumtur që t’i japin Begajt votën në Kuvend të shtunën në mënyrë që ai të zgjidhet zyrtarisht Presidenti i vendit.
“Ky sistem që kemi kështu është, është e pamundur të ndërtohet një proces ku njerëzit të njihen më përpara me mundësinë për t’u zgjedhur. Sot kemi patur një diskutim në Kryesi shumë të gjatë për shumë kandidatura dhe në fund kemi rënë dakord që ju jeni kandidatura e duhur për ta normalizuar dhe për ta rivitalizuar institucionin e Presidentit të Republikës. Ju falënderoj që nuk shfaqët refuzim, por pranim dhe do jetë nder për ne që tju japim votën që ju të zgjidheni zyrtarisht President i Repoublikës”, u shpreh kryeministri.
Në mbledhjen e Kryesisë këtë të premte, socialistët vendosën emrin e Bajram Begajt, aktualisht Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si kandidat për President që do të votohet të shtunën në Kuvend.
/rttsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




