Balla: Jo vetëm Shqipëria, asnjë shtet në botë s’ka marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe

Politikë | 4 vite më parë

Marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe për bashkëpunimin policor në shkëmbin e informacioneve ka sjellë debate të forta në Kuvend.

Ndërsa opozita ka kërkuar se pse Shqipëria nuk bënë marrëveshje ekstradimi me Dubain, ku fshihen pjesa më e madhe e kriminalëve të kërkuar në vend.

Mazhoranca tha se kjo nuk ka ndodhur jo për shkakun tonë por është Dubai që nuk pranon. Edhe kreu i Grupit Parlamentar Socialiste, Taulant Balla tha se jo vetëm Shqipëria, por asnjë shtet në botë nuk ka marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Do ta kisha tërhequr fjalën time edhe për kursim energjie nëse nuk do kisha dëgjuar zotin Alibeaj, i cili ndoshta për mungesë informacioni mendoj që pati një fjalë që kishte zero kuptim. Nuk ka Emiratet e Bashkuara Arabe marrëveshje ekstradimi me asnjë vend, kanë një marrëveshje tejet të vjetër e cila edhe ajo nuk zbatohet sot. Dhe mund t’ua them me bindje se në rast se Emiratet e Bashkuara Arabe do të ndryshojnë qasje, Shqipëria do të jetë ndër vendet e para që do nënshkruajë një marrëveshje të tillë. Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë marrëveshje me asnjë shtet. Besoj se ja do zakoni shqiptarit t’i thoni ministrit ndjesë se nuk e dija edhe pse Kam qenë Ministër Drejtësie, edhe pse në atë kohë ju është dashur që këtë gjë të përplaseni me të. Në fakt marrëveshja e sotme është e rëndësishme. Jam dakord se duhet të ishte bërë kohë më parë. Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme. Po t’i shikoni risia e kësaj marrëveshje që përfshin luftën kudër terrorizimit. Në këtë këndvështrim ka plot raste dhe jam i bindur që grupi parlamentar i PD dhe ju si kryetar do ta mbështesni këtë marrëveshje. U them që marrëdhëniet e Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe janë sot në nivelin më të mirë historik. I shpreh mirënjohjen presidentit të ri që sapo ka marrë detyrën, i cili ruan një raport shumë miqësor me Shqipërinë. Ishte i gatshëm menjëherë për të mbështetur Shqipërinë. Mos harrojmë që me fondet e Emirateve ka filluar puna për ndërtimin e 2000 apartamenteve në Durrës. Kur vjen një gjë e madhe si kjo t’i lëmë llafet e inatet”, tha Balla.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme