Balla për operacionin në Maliq: Policia zbatoi ligjin

Duke e konsideruar një veprim të justifikueshëm dhe në mbrojtje të jetës së oficerëve të policisë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka falënderuar forcat e rendit pas ngjarjes në Maliq, që përfundoi të shtunën me ekzekutimin nga policia të një 62-vjeçari.
Ramiz Muçollari nuk pranoi t’u dorëzohej forcave RENEA, të cilat po tentonin të negocionin për të pushuar të shtënat në drejtim të tyre.
62-vjeçari, i rënduar nga shëndeti mendor, më herët gjatë mbrëmjes së djeshme kishte dhunuar e plagosur me thikë gruan dhe djalin e tij.
“Mirënjohje forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën, sepse thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë. Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi Ligjin,” tha Balla në një reagim në Facebook.
Balla bëri apel për denoncimin e dhunës në familje, si në rastin e Maliqit.
“Dua ta siguroj publikun se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore për ne në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese dhe me komunitetin në çdo cep të territorit. Çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën,” e përfundoi postimin Balla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




