Balla takon kreun e ILD: Ndëshkim çdo magjistrati që shkel ligjin, bashkëpunim institucional për ankesat

Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi të mërkurën një takim me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, me të cilin ndau shqetësimet në lidhje me disa vendimarrje të magjistratëve. Në kuadër të hetimit apo gjykimit të veprave penale kundër mjedisit, theksi u vendos tek procedimet në rastet e zjarrvënies.
Ministri i Brendshëm shprehu edhe shqetësimin për shmangien e rasteve që parashikojnë ndëshkime të ashpra në rastet e armëmbajtjes pa leje.
Nga ana e tij, Inspektori Metani, teksa shprehu angazhimin maksimal për verifikimin e rasteve të tilla, si dhe trajtimin e tyre me prioritet, garantoi se çdo magjistrat që shkel ligjin do të ndëshkohet në përputhje me parimet dhe rregullat e legjislacionit në fuqi.
Ai theksoi se çdo proces do të zhvillohet në përputhje e respekt për rolin dhe pavarësinë e tyre.
Gjatë takimit, Balla dhe Metani ndanë vullnetin për rritjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve, shkëmbimin e informacioneve në rrugë zyrtare mbi sjelljet apo vendimmarrjet konkrete të magjistratëve, të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore dhe të trajtohen nga ana e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




