Balla takon McDowell, siguria në sistemet TIMS të Policisë së Shtetit në fokus të bisedës

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me të ngarkuarin me Punë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, H. Martin McDowell ku bashkëpunimi SHBA-Shqipëri në fushën e zbatimit të ligjit dhe çështjet e sigurisë ishin fokusi i bisedës.
“I ngarkuari me Punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell u takua sot me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla. Ata diskutuan bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në fushën e zbatimit të ligjit dhe mbështetjen për një sërë çështjesh të lidhura me sigurinë.
Nga ana e tij McDowell vuri në dukje shqetësimet e SHBA për ndërhyrjen në sistemet TIMS të Policisë së Shtetit, si dhe shprehu gatishmërinë e SHBA-së në hetimin e çështjes.
“I ngarkuari me Punë McDowell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit. Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri.
McDowell i tha gjithashtu Ministrit Balla se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre”– shkruhet në mesazhin e Ambasadës Amerikane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




