Balla vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, takime me Pendarovski dhe Xhaferrin

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla po zhvillon një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut për të diskutuar mbi rolin që luajnë Kuvendet e dy vendeve në procesin e integrimit europian.
Gjatë vizitës, Balla zhvilloi një takim me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri ku vlerësoi vlerësoi raportin e mirë mes dy vendeve si dhe rolin e Maqedonisë së Veriut një vend i cili luan një rol shumë të rëndësishëm në funksion të integrimit rajonal, por edhe si një faktor i besueshëm paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
“Më lejoni të shpreh falenderimet për mikpritjen tuaj dhe natyrshëm vlerësimet tona më të larta për kryetarin Xhaferri dhe Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me të cilin kemi një bashkëpunim të shkëlqyer prej shumë vitesh tashmë. Dua të theksoj pikë së pari faktin e rëndësishëm se Maqedonia e Veriut është jo vetëm një fqinj shumë i rëndësishëm për ne, por Maqedonia e Veriut është një vend i cili vit pas viti luan një rol shumë të rëndësishëm në funksion të integrimit rajonal, por edhe si një faktor i besueshëm paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor”, tha Balla.
Gjithashtu në fjalën e tij Balla vuri theksin që Parlamentet e të dy vendeve të përmirësojnë legjislacionet e tyre për të parandaluar financimet e partive politike dhe mediave nga Rusia.
“Duhet që të fillojmë të mendojmë se si duhet të përmirësojmë legjislacionin për të mos lejuar që aktorë të huaj, këtu u referohemi pikë së pari Rusisë, të ndërhyjnë në proceset tona demokratike. Jemi vende që tashmë kemi marrë vendimet e duhura për orientimin tonë Euroatlantik. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s. Janë të angazhuara fuqimisht në proceset e integrimit evropian dhe kështu është koha që të bashkërendojmë jo vetëm këto procese ku jemi, por edhe legjislacionin e duhur për të mos lejuar ndërhyrjen e aktorëve të huaj”, tha Balla.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Balla ka zhvilluar një takim edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Gjatë takimit Balla u shpreh se dy vendet duhet të rrisin edhe më shumë bashkëpunimin sa i përket ndërhyrjeve ruse.
“Duhet bashkëveprojnë në përballjen me përpjekjet e Rusisë për të minuar demokracinë, përmes financimeve drejt partive politike, mediave, duke paguar histori, ads në facebook dhe duke shpërndarë lajme të rreme ose keqinformim në rrjetet sociale. Nëse në Ukrahinë, Rusia sulmoi demokracinë me rraketa, tanke dhe ushtri, në shumë vende në Europë që nga viti 2014, po ashtu edhe në SHBA, Rusia është përpjekur të minojë demokracitë me financime dhe ndërhyrje të paligjshme”, deklaroi Balla gjatë takimit me presidentin Pendarovski.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



