Balluku: Pas datës 20 janar rihapet gara për ndërtimin e segmentit Milot-Fier, pjesë e Korridorit Blu

Ekonomi | 6 vite më parë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se gara për ndërtimin e segmentit Milot-Fier, pjesë e Korridorit Blu do të rihapet pas datës 20 janar të vitit të ardhshëm.

Gjatë një konference për shtyp, lidhur me zhvillimet në këtë sektor, Balluku bëri të ditur se një kompani prestigjoze kishte paraqitur një ofertë financiarisht të favorshme për ndërtimin e këtij segmenti, por nuk u kualifikua, pasi kompania kërkonte zgjatje të afatit nga 60 muaj në 96 muaj.

“Puna për Korridorin Blu po vijon. Gara për segmentin Milot-Fier prej 115 km , pjesë e këtij korridori, do të rihapet në fillim të vitit të ardhshëm. Ministria nuk ka kualifikuar një kompani që paraqiti ofertë në garën e parë, pasi edhe pse paraqiti ofertë financiare të favorshme, kompania kërkoi zgjatje të afatit nga 60 muaj në 96 muaj. Jemi gati edhe për segmentin e dytë Milot-Muriqan duke përmbyllur fllimin e rrugës në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu kemi në studim bypass-in e Gjirokastrës që është pjesa e tretë e mbetur nga ky korrior për të finalizuar”, tha minsitrja.

Balluku u shpreh se nisja e vaksinimit që shënon edhe fillimin e fundit të pandemisë na jep besimin se me rihapjen e garës do të ketë oferta të leverdisshme.

“Fakti që ne kemi patur oferta serioze gjatë pandemisë na bën optimist që do të kemi në vitin 2021 lajme të mira”, tha ministrja.

Bëhet fjalë për një investim prej 1.2 miliardë euro.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme