Balluku: Porti i ri i Durrësit, ndër projektet më të mëdha në Europë!

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka deklaruar se Durrësi do të jetë një nga polet turistike më të rëndësishëm të Evropës.
Gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të Kuvendit, ku u kërkua kalimi me procedurë të përshpejtuar i marrëveshjes për përjashtimin nga disa taksa të projektit “Marina dhe Jahtet e Durrësit”. Sipas Ballukut, edhe porti komercial i Durrësit do të jetë një ndër më modernët e rajonit.
“Nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës. Porti i Durrësit do të lidhet përmes një hekurudhe me Portin e Thatë që po ndërtohet në Kosovë. Do t’i shërbejë edhe Maqedonisë së Veriut, por edhe Serbisë, si pjesë e “Ballkanit të hapur”. Nuk jemi pjesë e asnjë lobimi. Ne lobojmë vetëm për shqiptarët”, tha zonja Balluku.
Balluku iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për aferë korruptive. “E vuani faktin që Shqipëria po zhvillohet, po ndodhin vepra të mëdha, që ju vetëm flisnit për to. Quani aferë një nga projektet më të mëdha jo të Shqipërisë, por të Europës. Edhe procedura e ndjekur është procedurë zyrtare, qeveri me qeveri. Ballina ujore e Durrësit është një investim prej 2 miliardë eurosh”, tha Balluku.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




